Shumica e depozitoi një kërkesë për të hequr nga rendi i ditës projektligjin për “Amnistinë Penale” pasi nuk arriti të bindë asnjë nga grupimet e opozitës për ta miratuar këtë dokument që kërkon një shumicë të cilësuar prej 84 votash.

Gazment Bardhi pas seancës tha se dinte arsyet përse socialistët u tërhoqën nga votimi.

“Për shkak se nuk arritën dot pazaret e tyre e tërhoqën”, tha Bardhi.

Por socialistët kanë një  tjetër version mbi arsyen e tërheqjes. Ministri i Drejtësisë dhe kryetari i grupit parlamentar thanë se vendimi lidhet me një traditë parlamentare ku prevalon konsensusi kur bëhet fjalë për amnistinë penale.

“Ne i kemi solide votat. Kemi duruar për të respektuar traditën”, tha Bledi Çuci.

“Nuk kërkojmë absolutisht votat e njërit grupim apo grupimit tjetër. Bisedimet janë tek drafti, s’ka bisedime të fshehta”, tha Manja.

Ulsi Manja shigjetoi dy grupimet e opozitës, në mënyrë të veçantë Lulzim Bashën, që kërkon aministinë e protestuesve të opozitës.

“Bëhen mashtrues, gënjeshtarë për një grusht vota. Lulzim Basha ka kërkuar amnisti për të gjithë protestuesit, 2018-2020. Pyetja është shumë e thjeshtë, po për ata që kanë protestuar më 8 Janar a do të ketë amnisti? Që këtu janë të pandershëm”, tha Manja.

Përgjigjen Basha ia dha nga selia, pasi ai dhe grupimi i tij nuk u paraqitën në seancë.

“Të gjithë protestuesit. Edhe protestuesit e Partisë Socialiste nëse ka ngelur ndonjëri me procese të hapura. Të gjithë protestuesit”, tha Basha.

Ministri i Drejtësisë foli me siguri që dokumenti i hartuar prej tij nuk amniston veprat e korrupsionit dhe se do të marrë në parlament më shumë se 84 votat e nevojshme.

“Të jeni të bindur që do të ketë mbi 90 vota ky ligj”, tha Manja.

Grupimi i Bashës ka një kusht që ta votojë amnistinë, atë të rikthimit të draftit fillestar ku përjashtoheshin të gjithë politikanët dhe zyrtarët e lartë të dënuar nga Gjykata e Posaçme.

Tv Klan