“Kemi të njëjtën energji edhe gjatë mandatit të tretë”

Deri në 15 Mars detyrimi i çdonjërës nga 5200 organizatave socialiste, sipas vendimit të Asamblesë Kombëtare, është të regjistrojë 4 anëtarë të rinj. Dega e kësaj force në Tiranë, që ka dhe numrin më të madh të organizatorëve, 921, do të duhet të afrojë më shumë se 3600 banorë të kryeqytetit për t’i bërë pjesë të Partisë Socialiste.

Objekt që për një optimist si kryebashkiaku i Tiranës është mëse i mundshëm, aq më shumë në Njësinë 5 që konsiderohet si hambar i votave për socialistët, ku Veliaj shpërndau kartat e anëtarësimit për socialistët më të rinj.

“Një super qytetar angazhohet politikisht për të marrë pjesë tek tavolina ku vendoset për fatet e vendit dhe të ardhmen e vendit”, tha Veliaj.

Pavarësisht se janë duke qeverisur në mandatin e tyre të tretë, si në pushtetin qendror, ashtu dhe atë lokal në Tiranë, Veliaj kërkon nga kundërshtarët, por edhe oponentët e socialistëve të mos besojnë tek rotacioni politik, si një proces që vjen apriori.

“Është një mandat i katërt tani se rregulli nuk është kështu. Si t’i thuash Brikenit apo Erkandit, shiko mos dil më kampion europe tani se e keni tepruar. Ti nuk i thua dot ule ritmin që të fitojë ky tjetri që nuk di të bëjë asnjë punë. Kjo e ardhme i përket PS-së si e vetmja forcë që ka lider”, tha Veliaj

Fushatën e anëtarësimeve të reja pasditen e së dielës e zhvendosi në Njësinë 13, ku theksoi se PS mirëpret çdo të ri që kërkon të kontribuojë për vendin.

Më 16 Mars anëtarët e Asamblesë Kombëtare Socialiste do të mblidhen në Durrës për të bërë analizën e anëtarësimeve të reja.

Tv Klan