Veliaj: Vizioni ynë për Shqipërinë 2030 është ambicioz

Njësia 5 në kryeqytet ishte ndalesa e radhës e turit të anëtarësimeve në parti për drejtuesin Politik të PS për Qarkun e Tiranës Erion Veliaj.

Veliaj tha se PS e meriton sërish të votëbesohet për një mandat të katërt në krye të punëve të vendit pasi ka një vizion ambicioz për Shqipërinë 2030.

“Ka pastaj ca njerëz të tjerë që thonë: ‘Po mirë mo nuk u lodhët ju? Me tre mandate në bashki, tre mandate në qeveri, ç’është ky mandat i katërt tani?’ E para e punës, kush ka takat del i pari. Është si t’i thuash Brikenit ose Erkandit, mos dil më Kampion Europe se e keni tepruar. Pra, një atleti, një sportisti, një njeriu të aftë, një njeriu të fortë, një njeriu të guximshëm, t’i nuk i thua dot ule ritmin që të fitojë ky tjetri që nuk di të bëjë asnjë punë. E ardhmja i takon atyre që stërviten, që kanë disiplinë, që luajnë në skuadër dhe që shënojnë. Përsa na përket ne, kjo e ardhme i përket Partisë Socialiste si e vetmja forcë që ka lider.”

Veliaj tha se opozita dështoi në protestë pasi u mblodhën për të rrëzuar qeverinë, por rrëzuan thjesht dy vazo.

“Çdo gjë është politikë, pra ne jemi duke bërë politike edhe me ardhjen këtu, dikush tjetër po bën politik edhe me mosardhjen këtu. Dikush tjetër po bën politik duke lavdëruar këtë që po bëjmë ne sot. Dikush po bën politikë duke e sharë këtë organizim dhe duke treguar se dhuna dhe thyerja e vazove se e pata thënë unë që u mblodhën për të rrëzuar qeverinë dhe rrëzuan dy vazo. Kështu që çdo gjë është politike. Sa kohë secili prej nesh po bën politikë pse mos ta bëjëm këtë si skuadër që është skuadra jonë partia jonë Partia Socialiste e Shqipërisë.”

Ndër projektet e realizuara kryebashkiaku përmendi kopshtin zoologjik, parkun e liqenit, shkollat dhe kopshtet e reja të ndërtuara në këtë zonë të kryeqytetit. 

Klan News