Socialistët vendosin të rrëzojnë të enjten në parlament dekretin e Presidentit, që ktheu për rishqyrtim buxhetin e shtetit, me arsyetimin për t’u pasqyruar kërkesa e studentëve për rritjen e buxhetit të Arsimit të Lartë. Një rast i paprecedentë ky, që sipas kreut të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, nuk ka lidhje me kërkesat e studentëve protestues.

Balla përjashton mundësinë e amendimit të Ligjit të Arsimit të Lartë dhe përsërit ftesën për studentët, për të dialoguar në sallën e parlamentit.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, socialistët kanë marrë vendim dhe për rrëzimin e kandidaturës së Presidentit për kreun e KLSH, Vitore Tusha, e cila një javë më parë u shortua si anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Në një tjetër seancë të premten, që pritet të kthejë dhe opozitën në Kuvend do të votohen 2 raportet e Këshillit të Legjislacionit për Amendimin e Kushtetutës, të kërkuar nga PD për vetting-un e politikanëve.

Tv Klan