Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, është bërë kali i radhës i betejës politike mes maxhorancës dhe opozitës. Socialistët e kanë bërë të qartë se nuk do të lejojnë zgjatjen e mandatit të prokurorit aktual, të cilit i përfundon mandati në datën 7 Dhjetor.

Ndryshimet kushtetuese të 2016 parashikojnë që Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, por ky organ nuk është ngritur ende për shkak të mungesës së kandidaturave nga radhët e shoqërisë civile.

Ashtu siç edhe EURALIUS dhe OPDAT bënë të ditur javë më parë, mazhoranca i mbahet qëndrimit se në kushtet kur ky këshill nuk është ngritur do të zgjidhet një prokuror i përkohshëm, siç e parashikojnë dispozitat kalimtare të ligjit 97, për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë. Vullnetin e maxhorancës për të larguar Llallën menjëherë sapo t’i mbarojë mandati, e ka rikonfirmuar dhe kreu i Komisionin të Ligjeve, Ulsi Manja.

“Kësaj çështje i ka dhënë përgjigje Kushtetuta dhe neni 109, 2, i ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë. Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm

 

mbaron më 7 Dhjetor.”       

Por edhe demokratët citojnë Kushtetutën dhe thonë se zgjidhja është e parashikuar në librin themeltar të shtetit. Oerd Bylykbashi thotë se PS me qëndrimin e saj po tregon ngut për të kapur institucionin e Prokurorisë.

“Ka kohë që PS është e vendosur për shkelur Kushtetutën. Rregullat janë të qarta, Kushtetuta përcakton KLP si organ që deklaron fundin e mandatit të Kryeprokurorit. Fakti që ka boshllëk kushtetues është një problem që nuk mund të zgjidhet as me deklarata, as me mero. Zgjidhja është e thjeshtë, të çojë përfaqësuesit e Shoqërisë Civile për të kompletuar KLP. Qëllimi është kapja e pozicionit të Kryeprokurorit. Asnjë nuk ka kaluar Vettingun. Ligji përcakton qartë vendimin e merr Kuvendi me 3/5 për Kryeprokurorin e ri. Këto janë të gjithë përpjekjet e shumicës që Kryeprokurorin kërkon ta zgjedhë me 36 vota, përfshirë edhe votën e Tahirit, që të mbyllin të gjitha çështjet që u djegin”.

Tv Klan ka mësuar se në datën 7 Dhjetor, Drejtoria e Shërbimit të Monitorimit të Insitucioneve të Pavarura, që funksionon në Kuvend, pritet të njoftojë kryetarin e parlamentit për përfundimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Kjo Drejtori, e cila monitoron të gjitha institucionet që zgjidhen nga Kuvendi vihet automatikisht në lëvizje, kur mandati i krerëve të këtyre organeve përfundon dhe njofton kryetarin e Kuvendit për vakancën dhe procedurat që parashikon ligji për zëvendësimin.

Procedura parlamentare parashikon që kreu i Kuvendit pasi njoftohet nga Drejtoria e Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve për përfundimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, i përcjell njoftimin Komisionit të Ligjeve me kërkesën e hapjes së procedurës për zgjedhjen e zëvendësuesit.

Nëse në Komision nuk ka konsensus për zgjedhjen e një emri, i cili përmbush kriteret që përcakton ligjin, atëherë çdo grup parlamentar me 28 firma deputetësh mund të propozojë një emër nga radhët e prokurorëve dhe propozimi që merr shumicën e votave të deputetëve të pranishëm në sallë zgjidhet prokuror i përkohshëm.

Tv Klan