PD: Duan ta bllokojnë. Po shkelin marrëveshjen

Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore zhvilloi një mbledhje online paraditen e kësaj të mërkure, ku pjesë u bënë dhe përfaqësuesit e disa ambasadave, OSBE/ODIHIR-it dhe delegacionit të BE.

Më shume se për çështjet konkrete, në këtë takim, siç pohoi bashkëdrejtuesi socialist Damian Gjiknuri, u bë analizë e çështjeve të dakordësuara më herët.

Por për opozitën jashtë parlamentit, kjo mbledhje është nul, siç shprehet për Televizionin Klan anëtari demokrat i Këshillit Politik, Oerd Bylykbashi.

Por edhe pse të dyja palët janë të vetëdijshme për rëndësinë që ka mbledhja e Këshillit Politik për të vijuar me reformën, deri më tani socialistët dhe demokratët akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë vullneti për t’u ulur në tryezë e për të vijuar aty ku e lanë përpara shpalljes së pandemisë.

Gjiknuri deklaron se mazhoranca është e gatshme ta kalojnë dhe të vetëm reformën, që është kusht për çeljen e negociatave dhe kujton kartonat jeshilë që kanë në dispozicion në Kuvend.

Bylykbashki thotë se gjithsesi kjo mbledhje mund të vijë në ditët në vijim, por nuk pranon asnjë kërcënim nga mazhoranca. Ai kujton se marrëveshja është e qartë, Kuvendi thjeshtë do të votojë një dokument të dakordësuar jashtë tij, mes palëve.

Komplet jashtë kësaj rryme është Rudina Hajdari, që deklaron se mbledhja e Këshillit Politik është e panevojshme.

Çështje të rëndësishme që ende nuk kanë gjetur dakordësinë e palëve janë depolitizimi i administratës zgjedhore. Sipas mazhorancës, me propozimet e saj, opozita jashtë po kërkon të cënojë reformën zgjedhore ndërsa propozimi i tyre sipas Gjiknurit e ndan politikën njëherë e mirë nga futja e duarve në administrimin e zgjedhjeve.

Por demokratët nuk e shohin këtë si garanci.

Nuk është e qartë se kur do të jetë gati drafti. Por Bylykbashi pohon se opozita insiston në krijimin e një qeverie kujdestare para zgjedhjeve.

Tv Klan