Në orën 19:00 është mbledhur Kryesia e Partisë Socialiste për të vendosur për zyrtarizimin e kandidatëve për kryetarë të bashkive të vendit për zgjedhjet e 14 Majit.

Në një lidhje direkte për Klan News, gazetarja Klesiana Omeri ka dhënë më shumë detaje rreth asaj që pritet të vendosë sot Kryesia e PS-së.

Klesiana Omeri: Asambleja e PS-së në Vlorë u mblodh dhe votoi përsa i përket kandidatit që do të hedhë në tryezë në kryesinë e ditës së sotme. Bëhet fjalë për Ermal Dredhën, i cili do të lërë Dubain për të kandiduar për Vlorën në 14 Maj, duke qenë se ka shërbyer atje si ambasador i Shqipërisë.

Në pjesën më të madhe do të ju besohet kryetarëve në detyrë për të rikandiduar dhe që do të marrë vulën përfundimtare në mbledhjen e Kryesisë që do të mbahet në orën 19:00. Nuk pritet që të ketë surpriza, duke pasur parasysh ato emra që janë konfirmuar deri tani dhe nga kryesocialisti gjatë tureve që ka pasur nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë. Janë bashki të vogla ku pritet të ketë ndryshime.

Përsa i përket qarkut të Tiranës, nuk pritet të kemi asnjë ndryshim. Pritet që të kemi në Elbasan, në Gramsh, i cili i është besuar deputetit Besjan Ajazi, ndërkohë edhe në Librazh, Kastriot Gurra nuk do ta marrë sërish besimin për të kandiduar dhe në tyrezën e Kryesisë janë 2 emra, bëhet fjalë për Ermal Kurtin dhe Mariglen Dishën. Do të shohim se cili do të jetë më i pëlqyeri i socialistëve për të garuar më 14 Maj.

Në Berat, janë 2 bashki me pikëpyetje deri tani, bëhet fjalë për Kuçovën dhe Urën Vajgurore. Ndërkohë, planet e socialistëve për të mos ndryshuar asnjë prej kryetarëve aktualë për të kandiduar u prishën në qarkun e Dibrës për shkak edhe të arrestimit të Lefter Allës, i cili tashmë është edhe i shkarkuar me vendim të qeverisë. Ende nuk ka një emër të diskutuar.

Me pikëpyetje mbetet Saranda e po ashtu edhe Himara, duke qenë se kanë qenë emra të diskutuar nëse mund të ketë kandidatë të tjerë perveç kryetarëve aktualë. Për qarkun e Korçës nuk do të ketë ndryshime në asnjë prej bashkive. Në Fier janë të papërcaktuara ende bashkia e Divjakës dhe e Patosit. Në Durrës ka qenë me pikëpyetje deri tani Bashkia e Krujës, por duket se Artur Bushi ka më shumë shanse duke marrë në konsideratë diskutimet e fundit gjatë këtyre ditëve. Në Shkodër është konfirmuar Benet Beci për këtë qytet. Në Qarkun e Kukësit nuk pritet që të kemi ndryhsime dhe po ashtu as në Lezhë./tvklan.al