Në zgjedhje pa Tom Doshin kryetar, KQZ regjistron edhe PS, PD e LSI

Në afatin e fundit të përcaktuar nga kodi zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar 16 parti për të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit, ndër to edhe PSD.

Mes partive të regjistruara janë edhe PS, PD dhe LSI. Po ashtu, është pranuar dhe kërkesa për regjistrim e një kandidati të pavarur në qarkun e Lezhës.

Javën e kaluar KQZ miratoi 10 parti për zgjedhjet e 25 prillit dhe 2 kandidatëve të pavarur ju dha të drejtën për të mbledhur firmat.

Me 9 Shkurt, Partia Socialdemokrate ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit me shkresën e nënshkruar si kryetar partie nga deputeti Tom Doshi. Tre ditë më vonë shkresa e socialdemokratëve rezulton e nënshkruar si kryetar nga Engjëll Bejtaj, i cili zëvendësoi kryetarin historik Skender Gjinushi pasi ai u votua si kryetar i Akademisë së Shkencave.

Kjo lëvizje kryetarësh në kupolën e PSD-së vjen pasi ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim u bëri thirrje partive politike, që në listat e kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit të mos kenë persona të inkriminuar.

Tom Doshi u vu në qendër të vëmendjes pasi ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë e citoi atë si rast i cili nuk duhet të përfaqësojë qytetarët shqiptarë, kjo duke pasur parasysh vlerësimin si figurë e korruptuar nga departamenti amerikan.

Prej vitesh PSD ka qenë aleate e Partisë Socialiste duke bërë thirrje për një të majtë të bashkuar dhe për të zënë vendin që dikur mbante LSI e drejtuar nga Ilir Meta.

Në zgjedhjet e vitit 2017, pas kalimit të Doshit te socialdemokratët, kjo parti mundi të marrë rreth 15 mijë vota – 13,226 prej së cilave në Shkodër- dhe ky u bë deputet.

Klan News