Përballë kostove në rritje dhe masave të reja mjedisore, shumë fermerë evropianë thonë se janë me shpatulla pas murit, si homologët e tyre gjermanë.


Gjermania është vendi i fundit evropian i goditur nga një valë protestash të trazuara të fermerëve. Në një javë aksioni që do të zgjasë deri të premten, sektori i bujqësisë po kundërshton propozimet për shkurtimin e subvencioneve për karburantet e përdorura në bujqësi.

Kolona me mijëra traktorë dhe kamionë kanë shkaktuar kaos në transport dhe kanë ndërprerë hyrjet disa qytete në të gjithë vendin ditët e fundit. Prodhimi në një fabrikë të Volkswagenit në qytetin verior të Emdenit madje u ndal. Javën e kaluar, ministri i Ekonomisë Robert Habeck u bllokua nga protestuesit e zemëruar, kur u përpoq të zbriste nga një traget gjatë një pushimi familjar.

Lëvizja e protestës kalon kufijtë e BE

Protesta të ngjashme, të shoqëruara në disa raste nga dhunë dhe cënim i sferës private të politikanëve, kanë shkaktuar ndonjëherë ndërprerje të mëdha të punës në Holandë vitet e fundit.

Lëvizja protestuese, e cila synon të kundërshtojë masat e planifikuara për të luftuar ndotjen kronike me nitrogjen, madje krijoi një parti të re politike në vitin 2019, Lëvizjen e Fermerëve Qytetar (BBB), me një tendencë agrare dhe populiste.

Në Belgjikë, Spanjë dhe Francë, fermerët kanë dalë gjithashtu në rrugë për të shprehur pakënaqësinë e tyre me efektet e reformave të planifikuara mjedisore dhe kostot e larta. Polonia dhe shtetet e tjera të Evropës Lindore kanë parë një valë protestash të ngjashme, megjithëse këto janë të lidhura kryesisht me importin e grurit të lirë ukrainas në BE.

Fermerët bllokojnë rrugët në Gjermani

Jan Douwe van der Ploeg, sociolog agrar dhe ish-profesor në Universitetin Wageningen në Holandë, sheh të përbashkëta të rëndësishme në shumë nga këto raste: mbrojtjen e statuskuosë.

Shqetësimet shpesh kanë të bëjnë me “të drejtën për të vazhduar përdorimin e subvencioneve të fituara gjatë historisë [ose] për të vazhduar përdorimin e energjisë fosile ose pesticideve. Të gjitha këto janë shprehje shumë të qarta të bujqësisë së industrializuar,” tha ai për DW.

Cilat janë ankesat e fermerëve?

Ndërsa është e lehtë t’i gruposh protestat së bashku, ato janë shkaktuar kryesisht nga situata specifike kombëtare. Protestat gjermane fokusohen në subvencionet e naftës, fermerët spanjollë kanë sulmuar kohët e fundit masat e kursimit të ujit kurse demonstruesit francezë janë të shqetësuar për ujitjen dhe shpenzimet e karburantit, si dhe për politikën tregtare të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, me rritjen e çmimeve të plehrave kimike dhe të karburanteve në Evropë pas sulmit rus ndaj Ukrainës, fermerët thanë se po ndjejnë presion në të gjithë Evropën, pavarësisht nga çmimet shumë më të larta të ushqimeve në raftet e supermarketeve.

Sipas Anne-Kathrin Meister-it, nga Federata e Rinisë Rurale Gjermane (BDL), rendimentet bujqësore thjesht nuk mund të mbajnë ritmin me kostot në rritje. “Po të krahasoni rritjen e çmimeve të makinerive, pesticideve dhe plehrave kimike, rendimenti nuk është rritur asnjëherë në të njëjtën masë,” tha për DW me telefon nga Berlini Meister, e cila është rritur në fermën e gjyshërve të saj në veri të Bavarisë.

“Sfidat e viteve të fundit dhe ato të sotme janë thjesht pak shumë menjëherë”, tha ajo. Në Gjermani fokusi është te nafta dhe automjetet, por “kjo është vetëm pika e ujit që e bëri gotën të derdhet”.

Sektori i bujqësisë nuk e kundërshton reformën mjedisore në vetvete, por ka nevojë për më shumë mbështetje, theksoi Meister. “Fermerët janë të prekurit e parë kur flora dhe fauna janë në gjendje të keqe,” tha ajo. Por kostot mjedisore vijnë me një çmim që edhe konsumatorët duhet të jenë të gatshëm ta paguajnë, shtoi ajo..

Mbështetje nga e djathta ekstreme, pavarësisht nëse mirëpritet apo jo

Qeveria gjermane gjithashtu ka frikë se protestat mund të përvetësohen nga e djathta ekstreme, siç e bëri të qartë ministrja e Brendshme Nancy Faeser këtë javë. Ministri i Ekonomisë Habeck ka dhënë alarmin për “fantazitë për grusht shteti” që qarkullojnë në internet në lidhje me protestat, si dhe për shfaqjen e simboleve nacionaliste.

Të hënën, shumë traktorë shfaqën pankarta që mbanin logon e partisë ekstreme të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila aktualisht është në vendin e dytë në sondazhe, me 23%.

Joachim Rukwied, president i Shoqatës Gjermane të Fermerëve, u përpoq t’i mbante protestat larg ekstremistëve. “Ne nuk duam që grupet e krahut të djathtë apo grupe të tjera radikale të synojnë të rrëzojnë qeverinë në protestat tona,” tha ai. “Ne jemi demokratë,” i tha ai gazetës gjermane Bild të dielën.

Objektivat klimatike në rrezik?

Paqetësia e fermerëve shihet me nervozizëm në Bruksel. Mbi të gjitha, zyrtarët e BE kanë frikë se objektivat ambicioze klimatike, të parashikuara në legjislacionin nën kujdesin e Komisionit aktual Evropian do të vihen në pikëpyetje. BE ka vendosur një objektiv të përgjithshëm për arritjen e emetimeve “zero neto” deri në vitin 2050. Për bujqësinë, ndryshimet e planifikuara përfshijnë një reduktim prej 50% të pesticideve kimike deri në vitin 2030.

Ndërsa zgjedhjet evropiane po afrohen në qershor, disa shqetësohen për sigurinë e këtyre planeve të mirëpërcaktuara, nëse Parlamenti Evropian lëkundet djathtas.

Ky rrezik u shfaq plotësisht gjatë protestave politike mbi Aktin e Restaurimit të Natyrës, sipas Marco Contieros, një aktivist me degën evropiane të grupit të fushatës klimatike Greenpeace. Ligji u miratua me pak vota pro nga Parlamenti Evropian vitin e kaluar, pas rezistencës së minutës së fundit të udhëhequr nga Partia Popullore Evropiane (EPP) e qendrës së djathtë. EPP, e cila është grupi më i madh në këtë legjislaturë, është pozicionuar se mbron interesat e fermerëve kundër planeve për kthimin e tokës bujqësore në habitatin e saj natyror.

“Partitë konservatore, madje edhe partitë e djathta, kanë vendosur të përdorin ose abuzojnë me komunitetet bujqësore si një mjet elektoral për të arritur rezultate më të mira”, tha Contiero për DW.

Për Greenpeace, sistemi aktual, i cili i shtyn fermerët të menaxhojnë fermat e mëdha e të industrializuara intensivisht, është prishur; nuk ka kuptim të shqetësohesh për t’i mbajtur gjërat ashtu siç janë.

Midis viteve 2005 dhe 2020, rreth 5.3 milionë ferma janë mbyllur në BE, shumica dërrmuese e tyre ferma të vogla, tha Contiero, duke cituar vlerësime nga agjencia e statistikave të BE-së, Eurostat.

“Kjo do të thotë se një e treta e fermerëve evropianë janë zhdukur për shkak të problemeve financiare,” thotë Contiero. “Të pretendosh se mbrojtja e sistemit aktual është e njëjtë me mbrojtjen e fermerëve është gënjeshtër e kulluar.”

Histori e gjatë e protestave të fermerëve

Por sektori i bujqësisë ka një histori të gjatë protestash, thekson van der Ploeg, sociolog agrar.

Ka patur disa valë gjatë shekullit të 20-të, duke përfshirë ato famëkeqe të fillimit të viteve 1970, të cilat panë fermerë nga disa vende të zbresin në Bruksel. Në vitin 1971, protestat ishin aq të dhunshme sa që policia qëlloi dhe vrau një protestues.

Sipas van der Ploeg-ut, në të kaluarën, protestat e fermerëve zakonisht udhëhiqeshin nga aktorë të vegjël. Sot, të paktën në vendin e origjinës, Holandën, janë prodhuesit e mëdhenj ata që i nxisin. “Janë fermerët me të vërtetë të mëdhenj ata që vendosin agjendën,” tha ai. Sipas tij, “ata po luftojnë për një perspektivë që përfaqëson interesat e agrobiznesit”.

Rukwied, president i Shoqatës Gjermane të Fermerëve, mund të mos e shohë kështu. Të mërkurën, ai tha se një ofertë kompromisi nga qeveria nuk ishte e mjaftueshme dhe kërcënoi se do të vazhdonte protestat javën e ardhshme./DW