Armando Broja ka një dëmtim në thembrën e Akilit dhe është kjo arsyeja që ekipi i Ipswich Town ndërpreu tratativat për sulmuesin shqiptar.

Mediat angleze zbulojnë se ky dëmtim ka rezultuar nga testet mjekësore. Të ndodhur para këtij fakti drejtuesit e ekipit kanë nisur shqyrtimin e alternativave të tjera në sulm.

Mediat thonë se sulmuesi shqiptar Broja nuk është më pjesë e planeve të trajnerit të Chelsea, Enzo Maresca.

Një alternativë për sulmuesin kuqezi mund të jetë edhe Evertoni, që e ka monitoruar situatën dhe mund të veprojë nëse arrin të shesë një prej dy sulmuesve. Por ky dëmtim i Brojës pritet të jetë pengesë për klubin nga Liverpuli.

Karriera e shqiptarit te Chelsea u kushtëzua nga dëmtimet. 22-vjeçari humbi pjesën më të madhe të sezonit të kaluar nga një problem në gju. Dhe aktivizimi në formë huazimi te Fulham nuk ishte i duhuri sipas specialistëve.

Afati i fundit i merkatos së verës në Premier Ligë është data 30 Gusht.

Klan News