Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan përballë një paneli gazetarësh për të folur rreth lëvizjeve që po bën selia e tij tashmë që zgjedhjet e përgjithshme janë afër.

Kreu i demokratëve i ktheu përgjigje gazetarit Blendi Fevziu pasi ky i fundit e pyeti se pse shqiptarët duhet të besojnë Bashën. Sipas kryedemokratit e rëndësishme është që të mos barazohen të gjithë njësoj.

Ai u shpreh se vendi ka mundësi për të ecur përpara nëse ka një qeveri me disa prioritete. Sipas tij, Rama nuk ka lënë pas asnjë vepër përgjatë gjithë qeverisjes, ndërkohë që numëroi disa nga arritjet që janë bërë kur PD-ja ishte në pushtet.

Blendi Fevziu: Pse duhet të të besojë ty qytetari i Shqipërisë?

Lulzim Basha: Gjëja më e kollajtë është të jemi cinikë, të themi asgjë nuk ndryshon. Është pak edhe më cinike të detyrosh kryetarin e opozitës, të shpjegojë diçka elementare. Jemi sot më mirë apo më keq se 30 vite më parë? Sigurisht që jemi më mirë. Shumë gjëra kanë shkuar keq, por disa gjëra kanë shkuar mirë. Kjo tregon që vendi i ka potencialet. Ne nuk jemi Sahara. Ne jemi një vend që po të kesh një qeveri që ka ca objektiva të qarta që përputhen me prioritetet e njerëzve, ke mundësi të bësh 1,2,3 gjëra. Nuk ke mundësi të bësh 10, por 1,2,3 gjëra ke mundësi t’i bësh. Çdo qeveri matet me rekordin e vet. Dhe këtu dua të vij. E rrezikshme është të vendosësh shenjën e barazimit dhe të thuash të gjithë janë njësoj. Kjo në veçanti është diskursi i një partie që po largohet nga pushtet në këtë rast i PS-së, e cila kryeministri ka thënë nuk ka më të mirë se ne. Nuk ka asnjë premtim. Nuk ka asnjë vepër. Me një fjali të vetme po të më lejoni unë ia rrëzoj dhe i them që je kryeministri më i keq i 30 viteve?

Blendi Fevziu: Më i mirë i gjithë historisë thotë Batoni.

Lulzim Basha: Me një fjali të vetme. Më thoni një vepër që la?

Blendi Fevziu: Baton do ia thuash ti?

Lulzim Basha: O Blend ai ka kohë! Po ju them diçka, që atij do i duheshin 80 vjet për t’i realizuar. Po ju them futjen në NATO, rrugën e Kombit, heqjen e vizave, tunelin e Elbasanit, TAP, Ashtin, Devollin. Doni të merreni me kritikat e qeverisjes 2005-2013? Edhe mund të merremi, por në 2013 PD doli në opozitë. Me një fjali po të rrëzoj. Po të them që ka qeveri që i ka prioritetet e qarta, ky vend i ka mundësitë që qytetarët t’u shërbehet. Esenciale është do kemi një qeveri që mendon për veten e vet, kur qytetarët  ke deri këtu në ujë, ministrat janë duke darkuar në restorantet e Dubait, që kanë trefishuar pasuritë me letra, me letrat e ILDKP-së. Apo do kemi një qeveri që do të ketë prioritet njerëzit. Këtu vijmë tek ajo që më the në fillim. Ti më thua si do ta bësh, unë të filloj ta shpjegoj programin dhe pastaj më kthehesh tek pyetja e parë. Ka një shpresë dhe kjo shpresë është PD, është koalicioni ynë me një plan konkret për të çliruar ekonominë, për të çliruar vendin nga abuzivizmi, që të sjellë një qeveri të përgjegjshme./tvklan.al