Sa unike është kriza Greke? Këto dy grafikë e tregojnë historinë tragjike. I pari – nga raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi Greqinë – krahason katër krizat e mëdha ekonomike që ndodhën në botën e zhvilluar në 100 vitet e e fundit: Depresionin e Madh në Shtetet e Bashkuara, krizën financiare aziatike në fund të viteve 1990, recensionin e eurozonës dhe rënien e zgjatur të Greqisë.

Performanca e Greqisë është pakrahasimisht më e keqja.

Vendet e Azisë Lindore të kapura në stuhi në vitin 1997-98 u rikthyen në vlerën e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të para krizës brenda tre viteve. Eurozonës iu deshën gjashtë vite, dhe sot PBB e saj është 2 për qind më e madhe se vlera e lartë para krizës. Prodhimi i ekonomisë amerikane ishte tkurrur me një çerek tre vite pas rënies të Wall Street-it në vitin 1929, por në vitin 1936 ekonomia amerikane e kishte arritur nivelin e para krizës.

Ekonomia Greke u tkurr me 26 për qind në termat realë mes 2007-ës dhe 2013-ës, dhe në fund të 2016-ës – nëntë vite pas nisjes së Depresionit të Madh në vend – mbetet ende e mbërthyer në fund. 

Anomalia shtatë-vjeçare

Grafiku i dytë, nga qendra e analizave Macropolis, krahason performancën e tetë shteteve që kanë kërkuar asistencë nga FMN-ja që prej vitit 1997, shtatë vite pas nisjes së programit të saj. Studenti më i mirë i FMN-së ishte Turqia, e cila e dyfishoi PBB-në e saj në terma realë mes viteve 2000 dhe 2007. Menjëherë pas saj vjen Rusia, përgjithësisht falë rritjes së ushqyer nga rritja e çmimeve të naftës dhe gazit. Koreja e Jugut vjen më pas, me rritjen mbi 50 për qind, teksa Indonezia, Brazili dhe Tajlanda kanë të gjitha rritje mbi 25 për qind.

Vendet e vetme që kanë mbetur nën nivelin e PBB-së së para krizës pasi kërkuan asistencën e fondit janë Argjentina (pas krizës 1998-2002) dhe Greqia. Në pikën e saj më të ulët, tre vite në krizë, PBB-ja e Argjentinës – në pjesë të madhe si pasojë e zhvleftësimit të peso-s pas heqjes së këmbyeshmërisë – kishte rënë me dy të tretat krahasuar me nivelin e para krizës. Në harkun kohor të shtatë viteve, Argjentina – ndryshe nga Greqia – po përjetonte një rimëkëmbje të fortë ekonomike.

Po të fokusohemi në krahasimin me Depresionin e Madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, papunësia në Amerikë arriti kulmin në Maj 1933 më 26 për qind, për t’u më shumë se përgjysmuar nga fundi i vitit 1936. Në Greqi papunësia arriti 28 për qind në Korrik 2013, dhe që prej asaj kohe ka rënë në 23 për qind. Indeksi industrial i Dow Jones humbi 85 për qind të vlerës mes Gushtit 1929 dhe Majit 1932, por u katërfishua në harkun kohor të tre viteve e gjysmë në fundin e vitit 1936 (megjithatë u deshën 23 vite para se të arrinte në nivelin e para krizës.)

Indeksi i përgjithshëm i Bursës së Athinës shkoi në pikiatë me 85 për qind mes Tetorit të vitit 2007 dhe qershorit 2012. Deri në ditët e sotme, bursa është rimëkëmbur vetëm me rreth 30 për qind.

Gikas Hardouvelis, profesor në Universitetin e Pireut dhe ish-ministër, nënvizon se “kriza greke, ndryshe nga ajo amerikane, nuk është një krizë e vetme, port tre njëherësh: shkrirja globale e 2008-2009, faza e parë e krizës greke mes vitit 2010 deri në 2013 dhe faza e dytë duke filluar në vitin 2015.” Rënia e PBB-së në Greqi, shpjegon ai, nuk ishte aq e madhe sa në SHBA, ngase “ne nuk kishim një krizë bankare në vitin 2008 dhe sepse fondet e huazuara nga partnerët tanë në vitin 2010 parandaluan falimentimin.”

Gjatësia e krizës greke, sipas Hardouvelis, pjesërisht mund t’i atribuohet faktit se “arma jonë makroekonomike ishte zhvleftësimi i brendshëm, ne kurrë nuk i kishim programet e rregullimit.” Në SHBA “ata kishin kontrollin mbi politikat monetare dhe të këmbimit” dhe ndërmorën reforma të rëndësishme (siguria sociale, sigurimi i papunësisë, sigurimi i depozitave, etj.) që kontribuoi në kohezionin social dhe stabiliteti financiar.

Kombinimi katastrofal

Sipas Ashoka Mody, profesor vizitues i Universitetit të Princeton-it dhe ish-zyrtar i lartë i FMN-së, gabimi kyç i kreditorëve në Greqi ishte mos ristrukturimi i borxheve të vendit në Maj 2010. Kjo çoi në “nivele të jashtëzakonshme kursimi”, pasojat e të cilit janë shumuar, thotë ai, ngase kreditorët këmbëngulën në mohimin e gabimit.

Por, Mody është po ashtu shumë kritik ndaj Greqisë. “Nuk është vetëm sepse qeveritë greke harxhuan përtej mundësive të tyre për një çerek shekulli – ata vazhdimisht gënjyen dhe përfituan nga in-kompetenca e Komisionit për të monitoruar, aq më pak për të detyruar disiplinë fiskale,” thotë ai.

Madje edhe sot, pas gjithë asaj që ka ndodhur “qeveria ruan lidhjet me rrjetin e vjetër të korrupsionit dhe persekuton e përgojon atë që u përpoq të thoshte të vërtetën rreth statistikave të Greqisë.”

“Kombinimi i politikave katastrofalisht të këqija të imponuara ndaj Greqisë dhe mosgatishmëria e vendit për të ndryshuar rrugë – nga ajo që e futi në probleme – ka çuar në një kolaps historik dhe social të dimensioneve historike,” përfundon ai.

Burimi: Yannis Palaiologos  – Ekathimerini

Shqipëroi: tvklan.al