Ditën e sotme Partia Demokratike çeli fushatën dhe në tubimin e saj morën pjesë me dhjetëra qytetarë, të cilët nuk zbatuan rregullat e pandemisë.

Gazetarja Gerta Zaimi e pyeti kryeministrin Edi Rama këtë të enjte në emisionin “Opinion” se pse Policia e Shtetit la të zhvillohej një miting ndërkohë që diçka e tillë nuk lejohet.

Kryeministri Edi Rama tha se shpreson që policia të mos marrë masa ndaj selisë blu edhe pse theu ligjin, pasi sipas tij, ata janë “artistë në mënyrën si bëjnë viktimën”.

Gerta Zaimi: Një pyetje ishte në lidhje me tubimin e Bashës. Në një shtet funksional kjo nuk do të kishte ndodhur. Nuk do të kishte ndodhur jo se nuk do kishte dashur kush e organizonte, por sepse organet e shtetit nuk do ta kishin lejuar që të ndodhte. Pse Policia e Shtetit la një tubim të kësaj natyre?

Edi Rama: Nëse kjo pyetje do më ishte bërë 5 apo 10 vite më parë do isha ndjerë shumë në vështirësi. Tani nuk jam më në vështirësi sepse ne hymë tek ato demokraci funksionale në këtë aspekt që nuk janë perfekte siç është edhe Amerika, ku vetë presidenti i mëparshëm ishte shëmbëlltyra më spektakolare e ftesës për t’u infektuar me mitingjet e veta. Unë nuk di ç’do bëjë policia në këtë rast se nuk kam qenë unë që i kam thënë policisë gjobit ose mos gjobit se nuk e bëj këtë punë. Madje përkundrazi i kam falenderuar kur kanë gjobitur deputetë tanët. Në këtë rast unë shpresoj që policia të mos bëjë gjë për faktin e thjeshtë se ata atje që dolën janë artistë në mënyrën si bëjnë viktimën. Siç e bënë në Elbasan. Unë kam qenë dëshmitar okular vetë. Bënë në Elbasan viktimën. Bënë një manipulim brutal të asaj që ndodhi. Pastaj u shit në të gjithë median, u bë një bolori sikur kisha vajtur me një bandë dhe banda që unë kisha vajtur i kishte rënë në qafë një grupi dasmorësh që thjeshtë kishin lënë ditën e dasmës në festën e Verës, pavarësisht se për herë të parë në histori shfaqet një lider politik me makina, me flamuj, me britma, me Rama ik, ditën e Verës. Shpresoj që të mos bëjë gjë policia se pastaj do ta hajë policia gjithë atë baltën që prodhohet nëpër klubet e natës mediatike./tvklan.al