Ka postuar një fotografi, ndodhet në një vend të caktuar, është veshur me ngjyra dhe flokët i ka stiluar sipas këshillës suaj. Pse jemi kaq të fiksuar për të hapur rrjetet sociale dhe për të parë se çfarë po bën ish-i, edhe pse lidhja ka mbaruar? A ka ardhur koha të shtypim butonin “Blloko”? Epo ka disa shpjegime pse vazhdojmë të kontrollojmë ish-in dhe nuk ka asnjë arsye që të ndihemi fajtorë për këtë.

Si fillim, jemi qenie njerëzore. Nëse dikur jemi interesuar kaq shumë për një person sepse ka qenë i afërt me ne, na lejohet të jemi kureshtarë për atë çfarë bën tani. Në fund të fundit, është e çuditshme të kesh ndjenja të forta për dikë e më pas të mos i kesh më në jetën tënde. Edhe sikur të mos ketë pasur një ndjejë të fortë, deri në njëfarë pike të gjithë jemi të fiksuar me ish-at.

Por, t’i kontrollosh çdo ditë është një problem i madh dhe nuk të jep asgjë. Madje duket sikur është e dëmshme, por arsyeja pse s’mund të ndalojmë, nëse e sheh me vëmendje, mund të jetë diçka që ky zakon të jep.

Ndoshta e fajësoni veten për përfundimin e marrëdhënies. Mund t’iu mungojë vetja gjatë periudhës që keni qenë me personin në fjalë ose thjesht dëshironi të sabotoni marrëdhënien e tanishme. Ndoshta ndiheni mirë në marrëdhënien e re, por ju duket sikur nuk meritoni lumturi pasi i keni dhënë fund një marrëdhënieje tjetër.

Ndonëse truri ynë ka një aftësi të çuditshme për t’u kapur pas disa mendimeve, e mira e gjithë kësaj është që nuk do ta bëni për të gjithë jetën këtë. Një ditë, personi dhe jeta e tij do të jenë shumë më pak interesante. Sigurisht, mund të dëshironi të hidhni një sy herë pas here, por nuk do të jetë më një nevojë.

Mund të jetë koha të shtypni “Blloko”. Megjithatë mund të lini një datë të çfarëdoshme të vitit  që ta hiqni nga lista e të bllokuarve dhe ta kontrolloni. Deri atëherë ndoshta do ta keni harruar fare apo vala e emocionit do të ketë rënë. Shpërblejeni veten me diçka për arritjen tuaj.

Një ditë do të ndaloni dhe do të ndiheni mirë. Por gjithnjë do të ketë një pyetje në mendjen tuaj për njeriun që keni dashur dikur, si të gjithë ne./tvklan.al