Ky pigment sipas studiuesve është përdorur vetëm në këto dy vepra gjatë Rilindjes

Piktori i madh italian Raffaello përdorte pigmentin blu egjiptian në veprat e tij. Nga kërkimet e fundit shkencore mbi afresket e Amore e Psiche në Villa Farnesina në Romë, rezulton se ngjyra blu është pikërisht ajo egjiptiane, që gjatë periudhës së Rilindjes nuk përdorej.

Pigmenti blu egjiptian në fakt, është i pari pigment sisntetik i prodhuar rreth 3 mijë vite më parë nga Egjipti i lashtë, dhe gjeti përdorim në të gjithë zonën e Mesdheut deri në rënien e Perandorisë Romake, e më pas u zhduk.

Kjo është vepra e dytë e Raffaellos, në të cilën gjenden gjurmët e pigmentit blu, të realizuara rreth vitit 1518. Më parë, ekspertët e kishin hasur në vepren Triumfi i Galateas, dhe tashmë në Amore e Psiche u gjetën të njëjtat gjurmë, duke bërë që të jenë të parat piktura të Rilindjes ku është përdorur.

Historianët e artit vlerësojnë këtë zbulim, pasi në këtë mënyrë do të mund të kuptojnë dhe zbërthejnë më mirë teknikat e përdorura të një prej autorëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Klan News