Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi këtë të martë se mjekët dhe infermierët janë duke bërë një punë heroike. Ajo iu përgjigj në “Opinion” pyetjes së gazetarit Fevziu se pse në vendin tonë, çdo person që ka përfunduar në intubim ka humbur jetën.

Sipas ministres, kjo ka ndodhur për shkak të sëmundjeve bashkëshoqëruese që pacientët kanë pasur. Manastirliu sqaroi se ndaj pacientëve ndiqen të njëjtat protokolle mjekimi si në vendet e tjera të botës.

Blendi Fevziu: Në Shqipëri çdo person që është intubuar ka përfunduar me vdekje. Pra nuk kemi asnjë person që nga instubimi të jetë rikuperuar. Pse po ndodh kjo vdekje 100% e atyre që hyjnë në respirator?

Ogerta Manastirliu: Duhet të presim fundin e luftës për të bërë bilancet. Mjekët tanë punojnë me të njëjtat kushte siç punojnë mjekët në botë sa i përket terapive intensive. Pacientët që futen në respirator trajtohen me të gjithë protokollin që sot trajtojnë në botë. Dua të them që nga pikëpamja e barnave dhe mjeteve çdo gjë është e kolauduar si në të gjithë vendet e tjera.

Blendi Fevziu: I intubojnë vonë? I intubojnë me vonesë? Si?

Ogerta Manastirliu: Ajo që mund t‘ju them është që puna e mjekëve dhe infermierëve është heroike. Kam besimin maksimal që bëjnë më të mirën. Nga analizat që kemi sa i përket fataliteteve në reanimacion janë sëmundjet bashkëshoqëruese që kanë përfunduar në fatalitet. Kanë qenë sëmundjet që kanë pasur duke filluar nga ato kardiake, diabeti etj./tvklan.al