Ish-drejtori i Përgjithshëm dhe gazetari i Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi ka shpjeguar në detaje se pse është urdhëruar mbyllja e Klan Kosovës nga Ministria e Tregtisë dhe Biznesit.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Adriatik Kelmendi thotë se ky vendim nuk është aspak ligjor dhe është bërë për të tërhequr vëmendjen tek një çështje tjetër dhe për ta larguar atë nga tensionet në veri dhe sanksionet perëndimore për Kosovën.

Blendi Fevziu: Çfarë ka ndodhur se ka një konfuzion për idenë e mbylljes së medias?

Adriatik Kelmendi: Nuk jemi krenuar gjithmonë me lirinë e medias në Kosovë. Diçka që na bregos është marrë një pretekst nga një portal fare i vogël i cili e mbështet Lëvizjen Vetëvendosje, që ka bërë një shkrim me gjysmë të vërteta dhe ka sjellë një pretendim që edhe unë që kam qenë deri para një jave drejtor në Klan Kosova, nuk e kisha ditur që paska pasur një problem që sipas tyre, në regjistrimin e kompanisë në Maqedoninë e Veriut, është përdorur një dokument identifikimi që nuk është i Republikës së Kosovës. Nuk ka pasur asnjë problem që Klan Kosova të regjistrohet si medium i Republikës së Kosovës, të marrë lejen e biznesit e të licencohet nga Komisioni i Pavarur i Mediave që të ushtrojë veprimtarinë e saj. Nga një shkrim i një portali të panjohur që nuk ka fare peshë. Është gjetur një pretekst, pra se është bërë një shkelje ligjore dhe ka intervenuar Ministria e Tregtisë e Biznesit duke thënë se e revokon certifikatën e biznesit për Shoqërinë Tregtare Klan Kosova dhe ka ngritur kallëzim penal. Por sipas të gjithë juristëve, nuk ka të drejtë ministria ta bëjë një hap të tillë dhe të githa organizatat ndërkombëtare dhe vendore, të gjitha mediat e kanë parë këtë si një sulm frontal të qeverisë drejt medias më të madhe në Kosovë si dhe një paralajmërim për të gjitha mediat e tjera.  

Blendi Fevziu: Pse është marrë ky vendim? Cili është argumenti që jepni ju?

Adriatik Kelmendi: Besoj se e para, është shmangia e vëmendjes. Ne kemi një krizë në veri të Kosovës. Ne kemi një situatë të paprecedentë që kanë filluar tashmë sanksionet në Kosovë për një mosdëgjueshmëri që po quhet nga shtetet perëndimore për të shtensionuar situatën në veri dhe është një krizë që është duke pasur Kosova në ballafaqimin me aleatët dhe duket se qeveria e zënë ngushtë me këtë situatë, dëshiron të shkaktojë çështje për të cilat të merret vëmendja e opinionit publik.

Ne kemi kontaktuar disa nga krerët e institucioneve, por jo drejtpërdrejtë Kurtin. Kemi folur dhe me drejtues të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, i kemi dërguar mesazh Vjosa Osmanit. Kemi parë që disa deputetë e kanë shfrytëzuar këtë hapësirë për të marrë vëmendje lidhur me çështjen e Klan Kosovës.

Ne nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi. Ne nuk do ta mbyllim gojën asnjëherë. Për ne është bafasi si një hap i tillë./tvklan.al