Një nga shqetësimet më të mëdha që po shkakton koronavirusi ditët e fundit, është vdekja e shumë të rinjve, të cilët nuk kishin probleme shëndetësore. Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar kanë ndërruar jetë një 13-vjeçar, një 19-vjeçar, një 21-vjeçare dhe një 36-vjeçare.

Vdekjet e tyre kanë habitur familjarët, të cilët mendonin se të afërmit e tyre ishin të shëndetshëm. Ata gjithashtu thonë se viktimat nuk ishin diagnostikuar me ndonjë sëmundje më parë, që të mund të prekeshin më lehtë nga Covid-19.

Ndërsa ky virus duket se prek më seriozisht të moshuarit, ekspertë në SHBA po përpiqen të zbulojnë se përse disa persona të shëndetshëm dhe të rinj nuk po e përballojnë luftën me Covid-19. Sipas Mirror, deri më tani ekspertët besojnë se kanë gjetur disa përgjigje të mundshme.

Neurokirurgu Sanjay Gupta thotë se studiuesit po shohin mundësinë nëse këta të rinj po vdesin për shkak të geneve.

“Një mundësi është ndryshimi i genit ACE2, i cili është një enzimë që bashkon sipërfaqen e jashtme të qelizave në mushkëri dhe në zemër”.

Koronavirusi përdor enzimën për të hyrë në qelizat që ndodhen në rrugët e frymëmarrjes. Ndaj dhe Dr.Gupta thotë për revistën Science se ndryshimet që ndryshojnë receptorin në genin ACE2, mund ta bëjnë më të lehtë ose më të vështirë futjen e virusit në qeliza.  

Shkencëtarët kanë përfshirë në studim analizimin e ADN-së së pacientëve që kanë simptoma serioze të Covid-19, por që nuk kanë diabet, sëmundje të zemrës apo të mushkërive, për t’i krahasuar me ADN-në e personave që kishin simptoma të lehta ose asnjë sëmundje të mëparshme.

Sipas Dr. Gupta një faktor tjetër mund të jetë dobësimi i surfaktantit  pulmonar tek të infektuarit, i cili është një lëng i sekretuar nga qelizat e qeseve të vogla të ajrit në mushkëri. Ky lëng ndihmon në zgjerimin dhe kontraktimin normal të mushkërive, por kur furnizimi dobësohet, duke ndërprerë funksionin, qeset e ajrit mund të pësojnë kolaps dhe rrjedhimisht frymëmarrja bëhet më e vështirë.   

“Kjo mund të jetë arsyeja se përse disa pacientë e kanë të vështirë të marrin frymë, edhe pse janë të intubuar”, thotë Dr. Gupta.

Studiuesit po shqyrtojnë edhe sistemin imunitar për të parë se si përgjigjet ndaj viruseve dhe baktereve. Ekziston mundësia që një sistem imunitar i shëndetshëm të mund të çojë në probleme të shumta.

Një tjetër mundësi është që disa të rinj mendojnë se janë të shëndetshëm dhe të paprekshëm, ndaj dhe nuk ruajnë distancën dhe nuk respektojnë rregullat për t’u mbrojtur nga koronavirusi.

Sipas statistikave, në Mbretërinë e Bashkuar të moshuarit janë më të prekurit nga Covid-19 dhe personat që kanë ndërruar jetë janë mesatarisht mbi 65 vjeç./tvklan.al