Ligjvënësi rus, Vladimir Zhirinovsky, ishte mikpritës i një ndeje me shampanjë në Parlamentin rus, kur më 2016, Donald Trump u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara. Ceremonia u organizua për të festuar fitoren e papritur të manjatit të pasurive të patundshme. “Për një politikë të re të brendshme dhe të jashtme në SHBA!”, deklaroi Zhirinovsky, një nacionalist dhe aleat i vjetër i presidentit rus, Vladimir Putin, duke ngrehur dolli me zyrtarët në Moskë. “Dhe për një përmirësim të shpejtë të marrëdhënieve SHBA-Rusi!”, shtoi ai.

Katër vjet pas asaj ceremonie, Trump garon për rizgjedhje, por Zhirinovsky thotë se ai ka humbur besimin në ish-yllin televiziv, i cili ka folur për një epokë të re bashkëpunimi me Putinin dhe Rusinë. “Trump nuk bëri asgjë të mirë për Rusinë”, tha Zhirinovsky për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se “Trump do të fitojë më 3 nëntor. Ne jemi të sigurt për këtë”. Në pyetjen e hulumtimit të Qendrës “Levada”, se cili nga kandidatët presidencialë në SHBA do të ishte më i mirë për Rusinë, Trump apo rivali i tij, ish-nënpresidenti, Joe Biden, gati dy të tretat e të anketuarve rusë, thanë se kjo nuk ka rëndësi.

Një hulumtim tjetër i zhvilluar në muajin shtator tregoi se 23 për qind e rusëve kanë opinion pozitiv për Trumpin ndërsa 43 për qind negativ. Më shumë se gjysma e të anketuarve nuk kishin dëgjuar kurrë më parë për Bidenin. Për gati gjysëm dekade, Rusia ka dominuar diskutimet politike në SHBA, duke nxitur debate mbi ngjitjen e Trump në presidencë dhe duke hedhur poshtë vazhdimisht akuzat se ishte e përfshirë në këtë çështje. Nga ana tjetër, Trump ka hedhur poshtë pretendimet për rolin e Moskës në zgjedhjen e tij si një “gjueti shtrigash”, edhe kur përballej me padi ndaj ish-ndihmësve të tij.

Por, përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara, derisa amerikanët bëhen gati për zgjedhje të ashpra dhe mundësinë e një beteje ligjore mbi rezultatet zgjedhore, rusët shqetësohen më shumë me problemet brenda vendit të tyre. Pandemia e koronavirusit ka goditur rëndë Rusinë dhe pagat kanë rënë për të gjashtin vit radhazi. Duke pasur parasysh shqetësime të tilla të brendshme, ngërçi politik përtej Atlantikut nuk po e tërheq vëmendjen, siç kishte bërë dikur. “Pse duhet t’ju interesojë rusëve?”, thotë Fjodor Lukjanov, një analist rus i politikës së jashtme që këshillon Kremlinin. “Shtetet e Bashkuara janë thjesht – një vend tjetër. Nuk besoj se dikush pret ndonjë ndryshim, pavarësisht se kush do të fitojë”, thotë ai.

Në vitin 2016, Zhirinovsky nuk ishte i vetmi që brohoriste pro Trumpit. Shumë në Rusi e shikuan kandidaturën e tij si një shans të vërtetë për të përmirësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe për të hequr sanksionet perëndimore që kanë penguar ekonominë e Rusisë, që kur e aneksoi Gadishullin e Krimesë në Ukrainë më 2014.

Më 2016, Trump e përshkroi Putinin si “një lider” dhe u zotua të normalizojë lidhjet me Rusinë. Në këmbim, kanalet televizive shtetërore ruse ishin plot lavdërime për Trumpin, ndërsa kritikuan rivalen e tij të atëhershme, Hillary Clinton. “Trump hakoi sistemin e kalbur të elitave amerikane, duke luajtur sipas rregullave të tij dhe u bë president”, deklaroi propaganduesi i Kremlinit, Dmitry Kelyelyov, pas zgjedhjeve më 2016.

Raportin e tij e shoqëroi me imazhin e dy gotave me shampanjë – një aludim për partinë Zhirinovsky-t, që e organizoi ceremoninë në Parlamentin e Rusisë. Në muajt përpara zgjedhjeve të vitit 2016, tre sondazhe të njëpasnjëshme nga Qendra “Levada” treguan një përqindje në rritje të rusëve që mbështesnin Trumpin dhe jo Clintonin, një trajektore që përkonte me fushatën e bashkërenduar televizive shtetërore për të portretizuar Trumpin si shpëtimtarin e Rusisë.

Ndërsa, mungesa e interesimit rus për votimet e 3 nëntorit në SHBA, sipas drejtorit të Qendrës “Levada”, Lev Gudkov, buron nga hapësira më e vogël që i është kushtuar kësaj çështjeje në televizionin shtetëror. Vetëm dy kategori të qytetarëve po i ndjekin zgjedhjet, sipas Gudkov: zyrtarët, që kërkojnë udhëzime nga Kremlini dhe pensionistët që e shikojnë televizionin shtetëror. Midis të rinjve të Rusisë, vetëm rreth 5 ose 6 përqind po i kushtojnë vëmendje, thotë Gudkov – pesë herë më pak sesa brezi i gjyshërve të tyre.

“Në sfondin e izolimit ndërkombëtar të Rusisë dhe një krize të dukshme të marrëdhënieve me vendet evropiane dhe SHBA-në, [propaganda televizive] përpiqet të shmangë çdo informacion që mund të përmbajë kritika ndaj Rusisë”, thotë Gudkov për Radion Evropa e Lirë. “Ekziston një disponim negativ që po e shuan interesimin dhe pritjet nga zgjedhjet në SHBA”, thotë Gudkov.

Gudkov shton se zgjedhjet në SHBA janë ngjarja e dytë ose e treta më e mbuluar në lajmet në televizionit rus, dhe midis të anketuarve të hulumtimit, që thanë se po ndiqnin fushatën e zgjedhjeve, tre herë më shumë po e përkrahin Trumpin sesa Bidenin, një politikan veteran shumë më pak i njohur në Rusi sesa presidenti në detyrë. Por, për Kremlinin, Biden është bukur i njohur.

Gjatë mandatit të tij si nënpresident amerikan, në kohën kur president ishte Barack Obama, Biden pretendohet të ketë pasur një shkëmbim jo të zakonshëm me Putinin gjatë një vizite në Kremlin më 2011. “Unë po shikoj në sytë tuaj dhe mendoj se nuk keni shpirt”, i kishte thënë Biden presidentit rus. Ai e tregoi këtë në një intervistë për New Yorker.”Ai (Putin) buzëqeshi, dhe tha: ‘Ne e kuptojmë njëri-tjetrin'”, kishte treguar Biden.

Lukyanov, analist i politikës së jashtme, thotë se stafi në Kremlin “nuk janë strategë aq të thellë”, por midis zyrtarëve dhe analistëve në Rusi, “ka një pikëpamje pak a shumë konsensuale se edhe nëse Bideni fiton, nuk do të ketë ndryshim të qëndrimeve aktuale politike në SHBA”.

“Amerika tashmë e ka zhvendosur paradigmën e saj në drejtim të më pak ekspansionizëm dhe përqëndrimit në politikën e brendshme”, tha ai. Derisa Trump kishte premtuar marrëdhënie më të mira me Rusinë më 2016, shumë rusë ishin të zhgënjyer kur vërejtën se këto plane u zhdukën. Zyrtarët e inteligjencës amerikane arritën në përfundimin se Moska kishte ndërhyrë në zgjedhjet e 2016-ës dhe tani po thonë se ajo po bën përsëri të njëjtën gjë.

Ekziston një mbështetje dypartiake në Kongres për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Derisa zgjedhjet po afrohen, marrëdhëniet SHBA-Rusi janë në pikën më të ulët. Traktati i fundit i rëndësishëm i kontrollit të armëve midis dyja vendeve do të skadojë në shkurt dhe negociatat për zgjatjen ose rinovimin e tij janë bllokuar.

E gjithë kjo ka ndikuar në reputacionin e Trumpin në Rusi, me ç’rast raportet televizive janë mbizotëruar nga temat e dështimit të tij katastrofik për të rregulluar marrëdhëniet me Rusinë, sesa në mbulimi ie të ashtuquajturit skandalit “Rusiagate”.

“Shumë shpresa u shfaqën” më 2016, thotë Ivan Kurilla, një historian i marrëdhënieve ruso-amerikane në Universitetin Evropian në Shën Petersburg. Ai i tha Radios Evropa e Lirë se këtë herë “nuk pres që zgjedhjet e SHBA-së të ndikojnë në Rusi në asnjë mënyrë, pasi nuk pres që politika e SHBA-së ndaj Rusisë të ndryshojë ndjeshëm.”

Analistja politike ruse, Tatyana Stanovaya, thotë: “Fitorja e Trumpit më 2016 ishte një surprizë e lezetshme për Kremlinin. Retorika e tij ndaj Rusisë ishte krejtësisht e ndryshme nga ajo e paraardhësve të tij: asnjë kritikë, asnjë predikim, asnjë promovim të vlerave liberale”, shkroi Stanovaya në një kolumne të saj.

Tani, sipas saj, ndjenja në Moskë është se “nëse Trumpi nuk mund ta tërheqë Rusinë nga spiralja e saj e konfrontimit me Shtetet e Bashkuara, askush nuk do të mundet”./REL