“Merremi seriozisht me çështje joserioze”

Sociologu Prof.Dr. Zyhdi Dervishi mendon se pandemia e koronavirusit do të bëjë që edhe shoqëria shqiptare të kthehet tek mekanizmat gjermanë në psikologjinë e komunikimit.

Gjatë një interviste për Rudina Magjistarin në Tv Klan, Dervishi tha se “Koronavirusi do të forcojë lidhjet e forta e të qëndrueshme nëpërmjet një numri të ngushtë njerëzish, ndërsa do t’i dobësojë shumë lidhjet me të tjerët, në një rreth më të gjerë. Pra ky do të jetë një lloj mekanizmi që do të reflektohet kohë pas kohë, por unë mendoj se do të funksionojë gjatë.

Përgjithësisht mesdhetarët, janë më të ngrohtë, më të afërt, më impulsivë, edhe më sherrxhinj, por në një farë mënyre ne do të kthehemi tek mekanizmat gjermanë në psikologjinë e komunikimit. Ne mendojmë se gjermanët janë të ftohtë, në fakt nuk janë të ftohtë, janë të ngrohtë si njerëz, por janë shumë racionalë në marrëdhënie me njëri-tjetrin. Ne shqiptarët për shembull, shqetësohemi që ta zëmë kaloi Rudina sot në lagje dhe nuk më tha mirëmëngjesi. Ajo nuk e ka pasur mendjen, ne shqetësohemi, mos i ka ngel qejfi diku, a më shpërfilli, ca reagime që nuk janë shumë esenciale. Pra merremi seriozisht me çështje joserioze, ndërsa gjermanët kanë një vizion tjetër për jetën. Ai shikon perspektivën e tij për 20 vjet. Ai kur kalon në rrugë,  a i foli apo nuk i foli Zyhdiu, nuk e vë re shumë këtë gjë. Sepse ai ka vizionin e vet, unë thotë do të arrij këto objektiva, 1,2, 7, në dinamikë dhe nuk merret me gjërat e vogla. Ne përgjithësisht, ballkanasit, merremi me gjëra të vogla, nuk kemi vizionin”, tha Dervishi. /tvklan.al