Pse u qëllua me armë ndaj 28-vjeçarit: Zanafilla nga një sherr në Gjermani

Foto ilustruese


Pse u qëllua me armë ndaj 28-vjeçarit: Zanafilla nga një sherr në Gjermani

13:42 05/07/2020

Ngjarja e një nate më parë në Mat, ku mbeti i plagosur rëndë një 28-vjeçar dhe u shpall në kërkim autori, 32 vjeç, nuk ishte rastësi. Zanafilla e konfliktit është shteti gjerman.

Rreth një vit më parë, një shqiptar plagoset rëndë me thikë nga bashkëkombasit e tij. Shkak dyshohet të jenë bërë prishjet e pazareve të drogës. Por çfarë e lidh të plagosurin Enrik Metra me këtë histori? Pse Hektor Xheçuka qëlloi në drejtim të tij?

Metra ka jetuar më parë në shtetin gjerman, por në kohën kur ndodhi plagosja e vëllait të Xheçukës, ishte në Shqipëri. Megjithatë, autori i ngjarjes së mbrëmshme pretendonte se Metra kishte dijeni për personat që i plagosën rëndë të vëllain.

Pasi kanë debatuar disa minuta brenda lokalit në Mat, ata janë zhvendosur jashtë. Fillimisht ka pasur një përplasje fizike e më pas Xheçuka e ka qëlluar, duke e plagosur rëndë.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë deklaruar para grupit hetimor se Metra i thoshte Xheçukës që nuk kishte dijeni për historinë e të vëllait, sepse ka qenë në Shqipëri.

Duket se kjo përgjigje nuk i ka pëlqyer dhe i mosbindur, ai ka qëlluar. Më pas është larguar në drejtim të paditur, por kamerat e sigurisë së lokalit dhe përshkrimet e dëshmitarëve e identifikuan në kohë rekord.

Por kush është Hektor Xheçuka, personi i shpallur në kërkim për plagosjen e Enrik Metrës?

Një emër mjaft i njohur për drejtësinë dhe policinë. Mbi Xheçukën rëndojnë disa akuza si ajo e tentativës për vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe përfshirje në grupe kriminale.

Për këto vepra është dënuar disa herë dhe disa herë të tjera është shpallur në kërkim. Por si shpeshherë, edhe Hektor Xheçuka bën pjesë në grupin e personave të botës së krimit, që në një mënyrë apo në një tjetër bindin organet e drejtësisë dhe i shpëtojnë qelisë.

Gazetare: Aida Topalli

Klan Plus




Të ngjashme