Pse u vendos për fletën e votimit me numra për zgjedhjet e 25 Prillit



Pse u vendos për fletën e votimit me numra për zgjedhjet e 25 Prillit

22:23 06/04/2021

Blendi Fevziu prezantoi këtë të martë në studion e “Opinion” fletën e votimit që do të kenë qytetarët e Tiranës në zgjedhjet e 25 Prillit. Ashtu siç është vendosur nga Kolegji Zgjedhor, fleta e votimit do të jetë ajo me numra. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili ishte i ftuar në studio tregoi se sipas KAS-it dhe Kolegjit Zgjedhor, fleta e votimit me numra prezanton një informacion më të qartë për votuesit sesa ajo me emra.

“Unë kam mbështetur variantin e fletës së votimit që ishin shënuar emrat, por në pikëpamje të ligjit qëndrojnë të dy variantet. Kolegji dhe KAS vlerësuan që ajo prezanton një informacion më të qartë për votuesit se sa ajo me emra. Ashtu është gjykimi i tyre, ndoshta për shkak të madhësisë. Secila prej varianteve ka avantazhet dhe disavantazhet e veta”, tha Celibashi.

Por a bën kjo fletë votimi që listat të jenë të hapura? Sipas Celibashit, ligji ta jep këtë mundësi.  

“Në pikëpamje të ligjit, të dyja variantet e sigurojnë votimin parapëlqyes. Diskutimi është si identifikohet më mirë kandidati, nëpërmjet emrit, që edhe në qarkun e Tiranës ka 36 kandidatë, apo nëpërmjet numrave në atë version ku fleta e votimit është më e vogël”.

Në zgjedhjet e 25 Prillit garojnë 12 subjekte, parti politike dhe koalicione si dhe disa kandidatë të pavarur në 5 qarqe të ndryshme Gjirokastër, Berat, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë. /tvklan.al







Të ngjashme