Pas orës 22:00 të mbrëmjes së të mërkurës, të gjithë shqiptarët duhet të futen në banesë. Ata që mund të dalin do të jenë ata që kanë urgjenca shëndetësore, ose ata që lëvizin për punë.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, shpjegoi masat e reja të marra nga ekspertët për shkak të përhapjes së koronavirusit. Ajo u shpreh se kufizimet do të jenë në të gjithë territorin e vendit.

Baret, lokalet dhe restorantet nuk do të lejohen sepse sipas ministres janë vlerësuar si ambiente me risk të lartë për përhapjen e virusit, kjo për shkak edhe të moshave të reja që i frekuentojnë.

Por pse është zgjedhur kjo fashë orare? Ministrja shpjegoi se në këtë orar, baret dhe restorantet në Shqipëri mbipopullohen. Qëllimi i masave të reja, sipas saj, është që të minimizohen grumbullimet e njerëzve.

“Prej ditës së mërkurë të vendosen masat e kufizimit për lëvizjen nga ora 22:00 e darkës deri në orën 6:00 të mëngjesit për popullatën. Nuk do të lejohet lëvizja e popullatës pa një motiv, por nëse do të ketë problematika shëndetësore, apo çështje të lëvizjes për punë patjetër që do të lejohet. Ka një kufizim të lëvizjes së popullatës nga ora 22:00 deri në 6:00. Kjo do të bëhet në të gjithë territorin e vendit.

Do të kufizohet aktiviteti i bareve nga kjo fashë orari duke lënë vetëm shërbimin delivery.  Është vendosur ora 22:00 si një orë që kishte të bënte me lëvizshmërinë dhe popullimin e bareve dhe restoranteve. Klubet, baret dhe restorante e grumbullimet edhe për arsye të qëndrimit në tavolina dhe orëve të gjata të ngrënies e pijes etj., janë vlerësuar nga ekspertët si zona ku kishte risk më të madh të përhapjes së virusit. Kryesisht janë moshat e reja që janë të prirura t’i frekuentojnë. Kufizohen vetëm baret dhe restorantet apo fast food-et, lokalet që kanë shërbime nëpër tavolina. Ne duam që minimizojmë riskun e kontakteve dhe grumbullimeve”, tha Manastirliu./tvklan.al