Mjekja e vetme psikiatre në qytetin e Korçës Nikolina Bode përndiqet nga eprorët e saj për shkak të punës jashtë orarit zyrtar.

Bode i është drejtuar emisionit “Stop” për të kërkuar që t’i njihet e drejta e kontratës të zbatuar, e drejta e diplomës si mjeke specialiste psikiatër i vetëm dhe i mirëfilltë për nevojat e këtij qyteti dhe rinovim dhe ndryshim i Komisionit të KMCAP-it të rrethit të qytetit Korçë.

Sipas mjekes, komisioni nuk ka nivelin e duhur të edukimit për të qenë pjesë e këtij komisioni.

Nikolina Bode: Kam fituar të drejtën për të qenë specialiste në disa institucione, duke qenë e vetme në qytet me këtë specialitet. Mbuloj shërbimet me kontrata pune dhe akte marrëveshje në spital për shërbimin konsulta dhe urgjenca spitalore dhe mbas orës 16:00, ose konsultat para këtij orari. Kam akt marrëveshje për të kryer shërbim vullnetar në poliklinikë në orarin qe nuk prishet shërbimi i qendrës, për personat të cilët nuk mundësojnë dot ardhjen në qendër, që mund të jenë të verbër, invalidë, të moshuar me disa diagnoza që nuk kanë edhe mjet transporti. Ndërkohë kam fituar të drejtën për të qenë specialist psikiatër në institucionin e ekzekutimit të veprave penale, Drenovë. Një shërbim që nuk më penalizon shërbimin ‘full time’ në Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor sepse orari i shërbimit më është lënë i lirë mbas orës 16:00, qoftë edhe në fundjavë. Kam fituar të drejtën për të dhënë dy orë mësimi në fakultet dhe këtë me konkurs. Ndërkohë përndiqem nga titullari i institucionit për të gjitha shërbimet e mia edhe pse nevoja është e madhe në qytet për këtë specialitet dhe në këto institucione. Jo vetëm që më mungon titulli, por dhe funksionet e mjekut psikiatër siç është komisioni i KMCAP-it, i cili prej vitesh është komision joligjor dhe në mungesë të specialistit dhe në prani të tij ai komision vazhdon të jetë joligjor. Në krye të komisionit, kryetari i saj është mjek psikiatër i atashuar me arsim një vjeçar, jo me specialitet të plotë për nevoja rrethi është kryetari i komisionit, tashmë pensionit, i cili shtyn kontratën gjashtë mujore për të shumtën herë dhe anëtare të tjerë është një psikologe klinike, e cila është e shtëpizave, jo e Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor, jo pjesë e stafit tonë dhe mjeku psikiatër i Pogradecit, i vetmi i mirëfilltë në komision. Kërkesa ime është të njihet e drejta e kontratës sime të zbatuar, e drejta e diplomës time si mjek specialist psikiatër i vetëm dhe i mirëfilltë për nevojat e këtij qyteti dhe rinovim dhe ndryshim i Komisionit të KMCAP-it të rrethit të qytetit Korçë.

Gazetarja e “Stop” i është drejtuar Njësisë Vendore të Kujdesit shëndetësor Korçë, ku drejtori Mikel Llogori  u shpreh se mjekja mund të punojë pas orarit. Për mësimdhënien e doktoreshës, ai thotë, se duhet marrë miratimi i titullarit. Ndërsa për punën vullnetare në poliklinikë, e quan të pamundur, pasi humbet fokusi në Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor.

“Stop” iu drejtua edhe drejtorit të Spitalit Rajonal të Korçës për të pyetur se si erdhi ky bashkëpunim mes mjekes Bode dhe poliklinikës dhe cilat janë benefitet nga ky bashkëpunim.

Litjan Broka: Ekziston marrëveshja vullnetare me doktoreshën në fjalë, Nikolina Bode, e cila ka ardhur si rezultat i një auditi të ndodhur pak vite më parë nga Fondi i Kujdesit Shëndetësor, ku është kërkuar formalizimi i shërbimit të psikiatrisë pranë poliklinikës. E kemi parë të arsyeshme ku ne i kemi vendosur në dispozicion për lehtësi të pacientëve që referohen nga mjekë specialistë për një nevojë konsulte psikiatri dhe doktoreshës në fjalë i është dhënë një ambient shërbimi për të qenë më prestigjozë dhe më komode  trajtimi i pacientëve. Kemi një marrëveshje kështu që nuk kontrollohen të gjitha strukturën e punës së saj. Në momentin që është parë e nevojshme, patjetër që nevoja për të reflektuar mbi patologjinë ka qenë rezultateve, gjatë kohës që drejtoresha jep shërbimin në poliklinikë.

 Një tjetër problem është edhe komisioni i KMCAP-it, ku bën pjesë një mjek që ka dalë në pension dhe është në pikëpyetje nga Nikolina Bode. Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit shëndetësor Korçë, Mikel Llogori  u pyet se pse nuk ka pasur një riformatim të këtij komisioni, ku në krye të tij është një mjek që e ka mbushur moshën e pensionit.

Mikel Llogori: Ka qenë më shumë çështje procedure sepse miratimi duhet marrë nga ministria. Ne e kemi bërë kërkesën që në vitin 2018 për të marrë një përgjigje, por gjithsesi nuk është një çështje që krijon probleme.

Gazetarja: A ka pasur propozime, sepse informacioni im është që propozohet nga përgjegjësi i qendrës, më pas vjen tek ju dhe këtu mesa duket ka pasur një ngërç për shkak të personave që janë propozuar dhe ata që janë propozuar nga ana juaj. Pra, ka pasur një problem.

Mikel Llogori: Nuk është problem, është çështje se si duhet ndërtuar komisioni.

Gazetarja: Për juve si duhet ndërtuar?

Mikel Llogori: Për mua duhet të jenë specialistë të fushës.

Gazetarja: Që janë?

Mikel Llogori: Ata që janë.

Gazetarja: Konkretisht?

Mikel Llogori: Mjeku psikiatër që është Gentian Çala, Roland Lalaj. Nëqoftëse do të jetë edhe Nikolina do ishte më mirë.

Gazetarja: Informacionet janë që mjeku Roland është në moshën e pensionit dhe është shtyrë deri tani për shkak të mungesës së një mjeku psikiatër specialist.

Mikel Llogori: Po sepse ka ngarkesë, ka rreth 3300 dosje.

Gazetarja: Nuk e përballon dot?

Mikel Llogori: Absolutisht jo, se vetëm një nuk mund t’a përballojë. Për ta specifikuar e kemi çuar një propozim, nuk kemi marrë përgjigje, megjithatë do të shikojmë edhe riformatimin duke marrë edhe mendimin e specialistit dhe nuk e kuptoj pjesën e konfliktit.

Gazetarja: Duke iu referuar Urdhrit të Ministrit. Urdhri i Ministrit shprehet qartë se përgjegjësi i qendrës komunitare duhet të jetë edhe kryetari i Komisionit, kjo është e gjitha. Është e shkruar në urdhrin e ministrit, kjo është pyetja që unë kam kundrejt jush.

Mikel Llogori: Edhe Rolandi ka qenë përgjegjës dhe është shtyrë për çështje inercie.

“Stop” u drejtua për këtë problem edhe në operatorin e kujdesit shëndetësor në Elbasan nga ku varet njësia e Korçës. Në përgjigjen e kthyer thuhet se konflikti mes zonjës Bode dhe titullarit të komisionit ka ardhur për shkak të mosqëndrimit të mjekes në vendin e punës. Për këtë arsye janë kërkuar të gjitha kontratat që zonja Bode ka me institucionet e tjera në mënyrë që të sheshohet ky konflikt. Përsa i përket shqetësimit të ngritur nga emisioni “Stop” në lidhje me pjesëtarët që janë pjesë e KMCAP-it për të sëmurët e shëndetit mendor në qytetin e Korçës nuk është kthyer një përgjigje./tvklan.al