Psikologia Arjola Manreka, ka qenë e ftuar këtë të mërkurë, në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ku u shpreh se prindërit bëhen më neglizhent ndaj fëmijëve, kur punojnë nga mëngjesi deri në darkë.

Sipas saj, ky nuk është faji i tyre, por i kushteve që janë sot dhe që i detyron prindërit të punojnë dyfish. Gjithsesi, psikologia nuk e hedh poshtë faktin që këta të fundit, duke bërë këtë lloj jetese, nuk plotësojnë dot aspektin emocional të fëmijës së tyre.

Aldo: Cila është neglizhenca më e madhe që bëjnë prindërit, përkundrejt fëmijëve të tyre?

Arjola Manreka: Sot në fakt, ne po vëmë re një fenomen shumë të çuditshëm që prindërit, për t’i siguruar jetesën fëmijës, punojnë nga mëngjesi deri në darkë. Pjesën e pasdites nuk e kalojnë fare me fëmijët.

Aldo: Janë të dërrmuar, janë të lodhur.

Arjola Manreka: Në këtë formë nis neglizhenca. Ai fëmijë është i patrajtuar, është i pa pyetur…

Aldo: Nga halli e ka, se nuk e ka nga qejfi.

Arjola Manreka: Nga halli, megjithatë, prindi duhet të ndërgjegjësohet që kjo është një lloj neglizhence ndaj fëmijës, sepse nuk po i plotëson aspektin emocional; që ta përmbush fëmijën duke i dhënë dashuri, duke e pyetur se si ka kaluar sot, duke e pyetur se çfarë gjërash e kanë tërhequr, ku është mërzitur.

Aldo: A të ngacmoi njeri, a s’të ngacmoi njeri.

Arjola Manreka: A të ngacmoi njeri apo jo. Dhe shikohet që ka një lloj neglizhence në këtë gjë. Kjo bëhet edhe për shkak të kushteve që janë sot. Niveli ekonomik është shumë i ulët dhe ata duhet të punojnë dyfish për të siguruar të ardhura. Ndaj, këtu fillon neglizhenca e parë. /tvklan.al