“Mos flini me makina poshtë pallateve”

Për psikologen Denata Toçe, mungesa e informacionit profesional, nga njerëz seriozë që duhet të dalin në media gjithë kohës, është një ndër shkaqet kryesore e gjendjes së panikut tek qytetarët, në situata si kjo që po kalon vendi ynë për shkak të tërmeteve. E ftuar mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion”, Toçe tha se populli shqiptar është i pamësuar me gjendjen e emergjencave.

“Ne jemi të pamësuar dhe të paedukuar. Më përpara në kohën e Enverin, përgatitej popullata edhe për gjendje emergjence, ne nuk kemi një kulturë të gjendjeve të emergjencës së çfarë ndodh. Nuk kemi një kulturë as për tërmetet, as për lëkundjet, kjo është arsyeja përse ne kemi panik sepse nuk kemi informacionin e duhur, çfarë po ndodh, përpos tërmetit të madh. Informacioni kryesor që duhet marrë për të mos shpërndarë panik është tek profesionistët, të lexohet më shumë informacioni i zotërinjve në fjalë, profesionistë. Informacioni më i madh që duhet të qarkullojë është informacioni i specialistëve sizmikë, gjeologjikë dhe informacioni me bazën e ndërtesave strukturore. Që do të thotë, kur një ndërtesë është gati për të rënë, përse disa ndërtesa mund të përballojnë lëkundjet e tërmetit, çfarë ndërtimesh ka sot Tirana. Për shembull pallate të ndryshme me inxhinierë të caktuar, me emra të caktuar, përballojnë deri në 8-9 ballë. Pra po të japësh informacionin e duhur, shmang këtë pjesën e panikut. Paniku është lëkundja ndodh, hajde dalim direkt jashtë dhe pjesa më e madhe madje flenë afër pallatit, nuk e dinë që po i ra pallati aty tek makina ku janë duke fjetur, katastrofa është më e madhe akoma”.

Sipas psikologes, sidomos kur vjen puna tek fëmijët, është e nevojshme që prindërit të përpiqet që të ruajnë qetësinë.

“Në këto rrethana gjëja më e mirë është që prindërit të ruajnë qetësinë për fëmijët dhe t’i shpjegojë fëmijës se çfarë do të bëjë në ato momente. Nëse ndodh lëkundja, gjëja më e mirë është të qëndrojë pranë një të rrituri, prindi të mund të shpërndajnë nëse kanë më shumë se një fëmijë, detyrat, të mund të marrin gjërat që kanë në familje dhe t’i çojnë tek makina që kanë ose në një vend tjetër jashtë shtëpisë, që të mos kenë preokupimin për t’u veshur. Ashtu siç janë të dalin dhe gjërat t’i lenë ose në makinë, ose në një vend tjetër, që të vishen jashtë. Pra informacioni i duhur i bën që të mos krijojnë kaos në momentin që ka lëkundje, që janë pak me dramatike”.

Psikologia këshillon që prindërit t’i thonë fëmijëve të vërtetën, që lëkundje mund të ndodhin sërish dhe t’i sigurojnë ata që nuk do të jenë vetëm.

“Kjo është një gjë e pa shmangshme, pra ne duke qenë se nuk jemi mësuar të përjetojmë ngjarje të tilla, fenomene natyrore të kësaj kategorie është e rëndësishme të ruajmë qetësinë dhe të t’i themi të vërtetën fëmijës, që do të ndodhin sërish lëkundje, të mos frikësohen, sepse ata do të jenë pranë, sepse nuk parashikojnë dot gjë tjetër përveç kësaj. Çfarë mund t’i japim më tepër se kjo fëmijës, më tepër se kjo lloj mbështetje, për të reduktuar sa më shumë panikun. Në panik e sipër individi bën dhe veprime që mund të shkaktojnë dhe dëmtime të jetës së tij. Siç ishin atakët kardiake, hedhja nga ballkoni. Janë ca gjëra që mund të shmangen, që paniku të mos jetë kaq i madh”./tvklan.al