Në mesin e të akuzuarve janë ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministri i Financave, Zoran Stavreski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani.

Siç thuhet në komunikatën e PSP-së, fjala është për dyshime të bazuara në keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Në rastin “Dhurata” të dyshuar janë ish-ministri i Financave dhe ai i Transportit dhe Lidhjeve, Zoran Stavreski dhe Mile Janakievski së bashku me drejtorin e Resurseve Energjetike të Maqedonisë Kërste Miladinov, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të cilët, siç thuhet, për kompaninë ruse “Strojtransgas” nga Moska kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me rreth 33 milionë euro.

Në rastin “Propaganda” në hetime janë të përfshirë nëntë persona, mes të cilëve Nikola Gruevski, Kiril Bozhinovski e të tjerë nën dyshimin e bazuar për vepra të kryera penale – bashkim kriminal dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në rastin “Dizajni” është dhënë urdhër për zbatimin e procedurës hetimore ku janë të përfshirë katër persona zyrtar për shkak të dyshimit të bazuar për veprën penale keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në periudhën e viteve 2009-2010- thuhet në komunikatën e PSP-së, të dyshuarit Mile Janakievski dhe tre të tjerë kanë dëmtuar buxhetin e vendit për 5 milionë euro gjatë furnizimit të autobusëve dykatësh.

Në rastin “Harmonia” janë të përfshirë tre persona, Nikola Gruevski, Mile Janakievski dhe Stevço Jakimovski. Për ta dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare kanë dëmtuar buxhetin e vendit për mbi 385 mijë euro.

Në rastin ‘Stacionet bazë”, sipas komunikatës së PSP-së, është përfshirë Zharko Lukovski, ish-drejtor ekzekutiv i T-Mobile, i cili dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në hetimin që udhëhiqet nën emrin “Pacienti” ekzistojnë dyshime të bazuara për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve në procedura për furnizime publike për realizimin e punëve ndërtimore në më shumë institucione shëndetësore të vendit. Në këtë hetim janë të përfshirë 15 persona mes të cilëve edhe ish-ministri i Shëndetësisë Bujar Osmani. Ky i fundit, në një reagim me shkrim, të mërkurën në mbrëmje tha se ishte i befasuar nga informacioni mbi hetimet. Osmani thotë se gjithmonë ka punuar sipas ligjeve dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë: 

“Hetimin e iniciuar e konsideroj si normal, korrekt dhe obligim profesional të Prokurorisë dhe në atë drejtim jam në dispozicion të Prokurorisë Speciale Publike, si dhe në cilindo organ tjetër të drejtësisë në vend, për bashkëpunim në interes të identifikimit të gjendjes faktike në tërësi… Dua të theksoj se nuk kam asgjë për të fshehur,”

– thotë Osmani në një reagim të tij me shkrim.

Reagimi pason njoftimin e Prokurorisë Speciale e Maqedonisë për fillimin e hetimeve për disa raste që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës zyrtare. Në mesin e të dyshuarëve janë edhe ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministri i Financave, Zoran Stavreski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, si dhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë dhe drejtues e anëtarë të komisioneve të tenderëve. Sipas Prokurorisë Speciale Publike, për ta dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me rreth 80 milionë euro./Klan Macedonia/