Autoritetet e Serbisë i kanë ndalur publicistit Shkëlqen Maliqi hyrjen në vendkalimin kufitar në Merdare. Ai ishte nisur të merrte pjesë në ngjarje kulturore në Beograd.

Maliqi tha për Radion Evropa e Lirë se Policia kufitare nuk ka dhënë asnjë shpjegim për ndalimin e tij.

“Nuk më lejuan të kaloj. Me thanë se nuk mund të kaloj nuk më dhanë ndonjë shpjegim. Po ashtu me mua ishte edhe dramaturgu Jeton Neziraj, fotografja Majlinda Hoxha dhe Besa Luci të cilët vendosen të kthehen edhe ata. Ne kemi pasur një tryezë në Beograd, një projekt i përbashkët që kemi punuar gati një vit, një publikim që ofron kronologji të bashkëpunimeve të shumta kulturore e artistike në mes skenave të pavarura të Kosovës dhe Serbisë në dy dekadat e fundit”,

tha Maliqi.

Edhe sportistët e Kosovës në dy raste brenda këtij viti, nuk kanë arritur të marrin pjesë në gara me karakter ndërkombëtar, të cilat janë organizuar në Serbi, nën patronazhin e federatave përkatëse evropiane pasi që ishin penguar nga autoritetet e Serbisë./REL