Kryeredaktori i lajmeve në televizionin Klan, Fatos Hakorja, nuk e ka mirëpritur urdhrin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që ndalon mediat të publikojnë përgjimet për dosjen “339/1” të bandës së Avdylajve në Shijak.

I ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan, Hakorja u shpreh se Prokuroria është vetë e implikuar në këtë situatë, pasi audio-përgjimet që publikoi gazeta gjermane “Bild” kanë dalë pikërisht nga organi i akuzës. Teksa shton se hetimet për dosjen “339” janë të vonuara dhe tashmë duhet të kishin përfunduar.

Urdhrin e firmosur nga dy prokurorët e çështjes që ndalojnë publikimin në media të këtyre përgjimeve, kryeredaktori i lajmeve të Tv Klan e konsideron një “letër bakalli” që nuk ka asnjë vlerë pasi nuk është shpërndarë në rrugë zyrtare, por u është dërguar gazetarëve në celularë.

“Ata janë në hall të madh. Është e vërtetë që publikimi vjen në një moment shumë kritik për vendin. Vjen në një moment kur opozita është në protestë. Kemi negociata që presin të hapen. Këto përgjime dëmtojnë imazhin. Prokuroria e sheh veten të implikuar në gjithë këtë gjë sepse këto përgjime kanë dalë nga Prokuroria. Dhe Prokuroria duke qenë e pazonja për ta mbyllur hetimin, që duhet ta kishte mbyllur kohë më përpara, sot nuk do ishim në këtë gjendje. Prokuroria e gjen veten fajtore që për veten e saj tani mund ta nxehë situatën, mund ta dëmtojë imazhin e Shqipërisë, mund të nxisë dhe më tepër protestën e opozitës.

E gjen veten në këtë mes dhe kërkon tani që, nuk dua ta them atë shprehjen popullore ‘të lashë atë me atë tjetrën’, dhe atë po bën me këtë gjë, me këtë letër. Ajo është një letër bakalli e cila u çohet gazetarëve me Ëhatsapp, nuk çohet në rrugë zyrtare me postë që duhet ta firmosësh. Ajo duhet të hetojë veten sepse nuk e ka mbyllur këtë përgjim. Sepse po ta kishte mbyllur këtë përgjim 1 vit më përpara mbase nuk do ishim në të njëjtën situatë”, u shpreh Fatos Hakorja në emisionin “Opinion”. /tvklan.al