Revista Atlantic ka publikuar mesazhet e plota që janë shkëmbyer midis zyrtarëve të lartë të Shtëpisë së Bardhë, teksa SHBA kreu sulme në Jemen në fillim të këtij muaji.

Mesazhet, të cilat u dërguan më 15 Mars, janë dërguar nga një llogari që duket se i përkasin Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth. Ato zbulojnë se informacione specifike të ndjeshme në lidhje me sulmet ndaj objektivave Houthi në Jemen u ndanë në aplikacionin Signal, duke hedhur poshtë pretendimet e zyrtarëve të lartë të Trump se planet e luftës nuk ishin diskutuar.

Në artikullin e botuar shkruhet sesi Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth jep detaje se kur do të nisë operacioni, kohën e sulmeve të para dhe se dronët kishin për qëllim një “shënjestër terroriste”. Pak minuta pas goditjes së parë të objektivit, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Mike Waltz ofroi te dhena te tjera mbi dëmin e shkaktuar dhe disa informacione se cili nga udhëheqja Houthi u godit.

Zyrtarët e lartë amerikanë kanë thënë se informacioni i ndarë në mesazhet me tekst nuk ishte i klasifikuar. Por sipas burimeve të njohura me operacionin, informacioni që Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth zbuloi në bisedën e Signal ishte i klasifikuar në kohën kur ai e shkroi atë, veçanërisht për shkak se operacioni amerikan nuk kishte filluar ende.

“Këto janë plane operacionale që janë shumë të klasifikuara për të mbrojtur pjesëtarët e shërbimit”, tha një zyrtar i mbrojtjes.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt ka hedhur poshtë artikullin e fundit në Atlantik si “një tjetër mashtrim i shkruar nga një person që urren presidentin amerikan Donald Trump”. Publikimi vjen pasi administrata e Presidentit Donald Trump u përpoq të minimizonte rëndësinë e teksteve të shpërndara në aplikacionin e mesazheve Signal, sipas The Atlantic.

Gjithashtu edhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Donald Trump, Mike Waltz mori përgjegjësinë e plotë për skandalin e sigurisë ku planet e sulmit të Jemenit u diskutuan në një platformë jo zyrtare e madje në grupin e komunikimit u ftua gabimisht dhe një gazetar.

Klan News