Policia dyshon se eksplozivin e vendosi një i ri

Pamje të siguruara nga Tv Klan janë regjistruar fill pas shpërthimit të makinës së prokurorit Arjan Muça në garazhin e një qendre tregtare në Tiranë. Nga kamera dallohet se edhe një tjetër automjet aty pranë është dëmtuar, ndërsa lënda plasëse ka krijuar një gropë në dyshemenë poshtë makinës, çka tregon se shpërthimi ka qenë i fuqishëm. Një ditë pas atentatit, gjurmët e shpërthimit janë të dukshme.

Familja e prokurorit Ajran Muça është marrë në mbrojtje nga policia, pasi një sasi tritoli shpërtheu makinën e tyre të parkuar mbrëmjen e së enjtes pikërisht në këtë parkim. Makina e tyre tashmë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që dyshimet e deritanishme janë se ky atentat lidhet me detyrat e çiftit Muça në sistemin e drejtësisë.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë dyshohet se autori është një i ri i veshur me rroba të errëta, i futur në parkim me një motor rreth orës 16:00, kohë kjo kur ka mbërritur edhe makina.

Sipas burimeve  nga grupi hetimor lënda plasëse u vendos brenda 2-3 minutave, dhe më pas i riu u largua që aty për të bërë shpërthim të telekomanduar. Fakti që ai e dinte me saktësi vendin se ku do te parkohej makina, ngre dyshime se autori e ndiqte çiftin prej disa ditësh.

Sipas Prokurorisë pista kryesore e hetimit është e lidhur me punën e Gentiana Muçës si gjyqtare në Gjykatën Administrative Tiranë, për shkak se Arjan Muça nuk ka pasur vitet e fundit ndonjë dosje apo çështje që mund ta fuste në konflikt.

Gjatë marrjes në pyetje nga policia, mësohet se Prokurori Muça ka the se makinën e ka në pronësi prej dy vitesh, ndërsa ka mohuar të ketë konflikte personale.  Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë e cilësoi këtë ngjarje si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë, dhe vendosi t’i sigurojë familjes Muça një mbrojtje të posaçme.

Tv Klan