Është data 10 Tetor, ora 20 e 22 minuta. Dy të mitur, përkatësisht 10 dhe 12 vjeç, hyjnë në një dyqan në zonën e “Myslym Shyrit”. Për afro 3 minuta, ata arrijnë të kontrollojnë çdo cep të dyqanit.

Ndërsa më pas, 10-vjeçari afrohet tek kasaforta dhe merr një sasi lekësh. Në këtë video ekskluzive të siguruar nga gazetarja Aida Topalli, vihet re qetësia e të miturve.

Pas denoncimit të pronarit të biznesit, agjentët e Komisariatit Nr.3 sekuestruan kamerat e sigurisë, konkretisht këto pamje që disponon Klan Plus, përmes të cilave u bë i mundur edhe identifikimi i dy autorëve. Për shkak të moshës, asnjë nga ata nuk është dënuar, por janë kaluar në përgjegjësinë prindërore.

Përgjatë marrjes në pyetje, rezulton që ata të mos jenë shtyrë nga persona të rritur, por janë jo të pakta rastet kur grupmosha të tilla, shfrytëzohen.

Klan Plus sjell këtë video si një shembull të dhjetëra vjedhjeve apo krimeve që kryhen nga të mitur nën moshën e përgjegjësisë penale.

Nga statistikat e Policisë së Shtetit, 2% e vjedhjeve në vend kryehen nga të mitur nga 14 deri në 18 vjeç, ndërsa 0.5 % nga grupmosha nën 14 vjeç.

Aktualisht jemi përpara situatës që në vend nuk kemi shkolla riedukimi. I vetmi institucion ku vuajnë dënimin shkelësit nga 14 deri në 18 vjeç, është burgu i të miturve në qytetin e Kavajës.

Megjithëse në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë ka ligje dhe nene që dënojnë apo synojnë parandalimin e kundravajtjeve penale, zbatimi i tyre është i ulët.

Këto persona janë të predispozuar që në të ardhmen të bëhen akoma më të rrezikshëm, siç kemi pasur edhe raste konkrete si ai i Markeljan Cungut.

Klan Plus