Përzgjdhja e Vladimir Putinit si pasardhës i Boris Jelcinit në krye të Rusisë, u diskutua në një bisedë telefonike mes Presidentit Jelcin dhe homologut të tij amerikan Bill Clinton.

Më 13 Qershor të 1999, rreth 2 muaj nga promovimi i ish-shefit të KGB-së si Kryeministri i ri i vendit, Boris Jelcin informon në hollësi Presidentin amerikan se cili do të ishte pasuesi i tij. Pjesë nga biseda telefonike u publikua në mediat amerikane, ku vërehet marrëdhënia e afërt mes dy presidentëve.

“Më mori një kohë të gjatë për të menduar se kush do të bëhet President i Rusisë  në vitin 2000. Takova Putinin, kam studiuar biografinë e tij, interesat, rrethin e tij e kështu me radhë. Kam dalë në përfundimin se ai është një njeri me vullnet, i vetëdijshëm për çdo gjë që është nën kontrollin e tij. Është i fuqishëm dhe shumë komunikativ. Mund të krijojë lehtësisht marrëdhënie të mira dhe kontakte me njerëzit me të cilët punon. Unë jam i bindur se ju do të shihni te ai një partner shumë të kualifikuar”.

Pak muaj më vonë Presidenti Clinton takohet asokohe me kandidatin Putin në Stamboll. Në Mars të vitit 2000, Vladimir Putin zgjidhet Kryeministër, duke nisur rrugëtimin e tij si lideri më jetëgjatë i historisë së Rusisë që nga koha e Josef Stalin.

Publikimi i bisedave private mes Bill Clinton dhe Boris Jelcin nuk u prit mirë në Kremlin. Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se janë publikuar në shkelje të konfidencialitetit dhe rregullave ndërkombëtare.

Tv Klan