Në studion e “Opinion” u publikua mbrëmjen e kësaj të hëne fotografia e snajperit me të cilin dyshohet se u bë atentati i mëngjesit të kësaj të hëne ndaj Ardian Çapjas, në qytetin e Elbasanit.

Pamjet tregojnë snajperin brenda automjetit të përdorur nga autorët, i cili u gjet i djegur pak kohë pas ngjarjes. Duke përcjellë informacionin e një specialisti të armëve, Blendi Fevziu tregoi se bëhet fjalë për një snajper me precision tepër të lartë, që përdoret nga forcat RENEA.

“Ky është snajperi i djegur brenda makinës. Po ta shihni ky është snajperi, të gjitha pjesët me fibër dhe dru janë të djegura, vetëm ka mbetur pjesë mbështetëse. Ky është snajperi. Një specialist i armëve më thotë me të dhëna më të sakta, për snajperin e përdorur. Është snajper Sako, finlandez, modeli M10, të cilin e disponon RENEA. Shkon deri në 1500-200 metra fuqia shpuese. Pra bëhet fjalë për një armë me precizion shumë të lartë”.

Nga atentati i mëngjesit të sotëm, 55-vjeçari Ardian Çapja mbeti i plagosur. Aktualisht ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Dyshimet janë se plumbi që e la të plagosur Çapjan erdhi nga kodra përballë shtëpisë së tij. Në studio, gazetari Spartak Koka tha se “varianti i dytë është që me këtë snajper është qëlluar nga brenda automjetit nga pjesa e sediljes. Është ky varianti i dytë për të cilin po hetohet. Kanë shtrirë sediljet dhe e kanë patur precizionin më të lartë, gjithnjë lart nga kodra”/tvklan.al