Vuante nga probleme mendore, problematik edhe në të kaluarën

Espen Andersen Brathen, i shfaqur në këtë foto, është 37-vjeçari që kreu sulmin me shigjeta mbrëmjen e të mërkurës në Norvegji, ku humbën jetën 4 gra dhe 1 burrë, të moshave nga 50 deri 70 vjeç.

Autoritetet konfirmuan pistën e sulmit terrorist. Sipas tyre, Brathen vuan nga probleme psikike dhe se është i njohur për policinë, pasi është denoncuar për dhunë disa herë në të kaluarën nga banorët e qytezës ku jetonte, në Kongberg. Kjo foto është marrë nga një video e publikuar në YouTube në 2017-n, ku shpallte konvertimin në mysliman. Por imamët e xhamisë që ai frekuentonte shpesh thonë për mediat se Brathen fliste gjëra konfuze për fenë.

Ai kishte kërcënuar edhe prindërit se do t’i vriste, ndërsa njerëz që e njohin thonë se gjatë fëmijërisë ai kishte qenë normal, por problemet mendore i janë zhvilluar gjatë adoleshencës. Brathen do të qëndrojë i izoluar në paraburgim nën kujdesin e mjekëve që po i bëjnë analizat psikike, derisa të vendoset për dënimin e tij.

Klan News