Kërkohen masa sigurie për klientët dhe punonjësit

Listës së aktiviteteve tregtare që mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre  gjatë periudhës së pandemisë i shtohen edhe 556 lloje të tjera. Duke nisur nga e hëna e 20 Prillit, do të lejohet edhe tregtia e veshjeve dhe artikujve të ngjashëm, ajo e mishit, peshkut, elektroshtëpiakeve, automjeteve dhe pjesëve të këmbimit, kafshëve, bimëve, përpunimit të naftës, parfumerisë dhe kozmetikës etj.

Në portalin e-albania ku është publikuar lista e re e bizneseve bëhet e ditur se këto aktivitete mund të hapen nga ora 05:30 deri në 17:30, me kushtin që të respektohet në mënyrë strikte protokolli i sigurisë.

Punëdhënësit ngarkohen që të hartojnë politikat e brendshme për të rritur distancat fizike mes punëtorëve, koordinimin me 2 turne dhe përdorimin e maskave dhe dorezave si barrierë fizike për minimizimin e transmetimit të infeksionit COVID-19. Subjekteve iu kërkohet që të evitojnë sa më shumë kontaktet fizike duke i kaluar komunikimet brenda stafit në rrugë elektronike.

Po ashtu do të lejohet edhe aktiviteti i hoteleve dhe strukturave të tjera të ngjashme. Ndërkohë do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura baret, restorantet, parukeritë, qendrat tregtare dhe shërbime të ngjashme që veprojnë përmes kontaktit të afërt të stafit me klientët.

Tv Klan