Mbi 3.5 milionë qytetarë me të drejtë vote, penalizohen nga ligji i dekriminalizimit 1098 persona

Ministria e brendshme ka bërë publike listën përfundimtare të qytetarëve që kanë të drejtën e votës në 25 prill. Lista e fundit vjen pas publikimit të 6 ekstrakteve, ku sipas të dhënave kanë të drejtën e votës më shumë se 3.5 milionë shqiptarë.

Sipas ministrisë, hartimi i listës është bërë në zbatim të dekretit të presidentit dhe me auditimin e komisionit shtetëror të zgjedhjeve.

Të dhënat zyrtare tregojnë se 50.5 % janë votues meshkuj ndërsa 49.5 janë femra, ndërsa më shumë se 107 mijë persona janë votues për herë të parë.

Sipas drejtorit të gjendjes civile Bledar Doracaj, shumë qytetarë janë pezulluar si shkak i ligjit të dekriminalizimit, ndërsa në rang vendi do të jenë 5199 qendra votimi.

“Në 1098 shtetas janë të bllokuar si rrjedhojë e ligjit të dekriminalizimit”, thotë Doracaj.

Autoritet bëjnë thirrje që çdo qytetar të verifikojë emrin e tij në listën e zgjedhësve nëpërmjet shërbimit online në portalin “e-albania” si dhe për çdo pretendim mund t’u drejtohet zyrave të Gjendjes Civile në bashki dhe njësi administrative, të cilat do të vijojnë të qëndrojnë të hapura nga dita e hënë, deri në ditën e shtunë.

Klan News