LETRA E SHISHNjë shkresë e Shërbimit Informativ e publikuar në media, sipas të cilës Ministria e Mbrojtjes ishte informuar nga ky shërbim për dyshimet se pista e bazës ushtarake të Gjadrit ishte përdorur për trafik droge me avionë, u bë objekt debati në seancën parlamentare maratonë të ditës së djeshme.

Me këtë shkresë Shërbimi Informativ i drejtohet ministres së Mbrojtjes duke i shprehur dyshime serioze për shfrytëzimin e pistës së Gjadrit për trafik narkotikësh. Dokumenti zyrtar është pasqyruar gjerësisht edhe në shtypin e ditës.  Shkresa mban numrin e protokollit 770 dhe është firmosur nga kreu i SHISH, Visho Ajazi dhe nga kreu i Ministrisë së Mbrojtes. Në të majtë dhe të djathtë, në pjesën e sipërme, dokumentit i janë bërë shënime dhe është vulosur nga Ministria e Mbrojtjes, më datë 25 mars.

Përmes tij SHISH e informon Ministren e Brendshme për uljen e një avioni të vogël mëngjesin e 19 marsit në pistën e Gjadrit.

Theksohet se pranë avionit është afruar një furgon i bardhë me targa të Vlorës. Një orë pas uljes së avionit, drejt Gjadrit kanë shkuar punonjës të SHISH-it dhe të Policisë së Lezhës, të cilët kanë kryer verifikime në terren. Sipas Sherbimit Informativ ushtarakët e Gjardit kanë thënë se nuk kishin informacion pasi radarët nuk punonin. Ndërsa banorët e zonës kanë konfirmuar uljen e avionit ‘Charter’. SHISH informon Ministren e Mbrojtjes se një metodë e tillë është përdorur edhe në Lushnje e Gjirokastër.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli u pyet për herë të parë nga ish –ministri Imami nëse kishte informacion për përdorimin e mundshëm të infrastrukturës ushtarake për trafik droge.

Ministrja foli vetëm disa ditë më vonë për këtë çështje, duke thënë se nuk ka asnjë fakt që provon akuzat e opozitës.

Pas publikimit të këtij dokumenti në media, Shtabi i Përgjithshëm i forcave të armatosura reagoi duke thënë se sëbashku me Ministrinë e Mbrojtjes i qëndrojnë çdo deklarate të mëparshme të dhënë nga titullarët e saj.

Nuk ekziston asnjë fakt që të prodhojë hamendësitë e shprehura gjatë javëve të fundit në publik, -thuhet në deklaratë.

Në të theksohet se Forca Ajrore disponon dokumente nga strukturat e specializuara të Aleancës që monitorojnë hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, të cilat konfirmojnë se nuk ka patur avionë renegatë në hapësirën tonë në datën dhe kohën e cituar në media.

Duke u shprehur se Forcat e Armatosura nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e debatit politik, Shtabi i Përgjithshëm nënvizon se Qëndrimi i Forcave të Armatosura mbështet në verifikimet e kryera nga institucione të specializuara vendase dhe të huaja dhe se duke iu bindur ligjit dhe vetëm ligjit, do të vendosin në dispozicion të Prokurorisë dhe Kuvendit të gjitha provat që vërtetojnë saktësinë e këtij qëndrimi.