Mediat greke kanë publikuar pamjet e kamerave të sigurisë brenda burgut grek të Koridhalos, ku mbeti i vrarë shqiptari Alfons Ndoci.
Në pamjet e rënda shihet momenti kur dy të burgosur të tjerë i afrohen 35-vjeçarit shqiptar dhe e sulmojnë me thikë duke e goditur disa herë. Për pasojë, Alfons Ndoci humbi jetën. I plagosur në këtë përleshje me thikë mbeti edhe një tjetër i burgosur shqiptar, Altin Vokri, ky i fundit jashtë rrezikut për jetën.
Krimi i rëndë ndodhi më 26 Qershor të këtij viti. Sherri nisi pak pas orës 13:00 me kohën lokale, kur gardianët urdhëruan të burgosurit të ktheheshin në qelitë e tyre pas ajrimit. Disa ju bindën urdhrit, ndërsa disa të tjerë, sipas mediave greke, refuzuan për shkak të vapës. Kështu nisi një përleshje mes të burgosurve që përfundoi me një të vrarë dhe një të plagosur.
Vrasjen e morën përsipër shqiptarët Xhuljan Halilaj dhe Etem Hoxha, të dy të burgosur në të njëjtin burg. Por mediat greke kanë ngritur pikëpyetje rreth motivit të vrasjes që është bërë pubkik. “Zougla” e lidh vrasjen e Alfons Ndocit me vrasjen e një topografi grek që kishte ndodhur 24 orë përpara këtij krimi.
Nga analiza e kamerave të sigurisë, Halilaj dhe Hoxha dolën nga zyra e gardianit dhe mesa duket ishin të armatosur me thikë. Njëri nga oficerët e burgut u hap derën për të kaluar te sektori dhe aty fillon përleshja me Alfons Ndocin. Në sherr u përfshinë edhe persona të tjerë nga të dyja palët. Ndoci ishte goditur me thikë në stomak dhe në gjoks. I plagosur, ai shkoi në qelinë e tij, ku autorët e ndoqën dhe përfunduan atë çfarë kishin nisur.
Por çfarë e lidh Alfons Ndocin me vrasjen e topografit grek? Sipas “Zougla”, nyja lidhëse mes tyre duket se është ishulli i Mikonos. Kohë më parë, Alfons Ndoci kishte punuar me një kontraktor në Mikono për ndërtimin e një vile. Media greke shkruan se shqiptari kishte zbatuar edhe disa “porosi” të kontraktorit, si dhunimi i një ndërmjetësi të njohur në Greqi. Ky ndërmjetës është aktualisht i dyshuar për vrasjen e topografit grek.
Një moment, Ndoci nuk ra më dakord me kontraktorin dhe patën mosmarrëveshje. Alfons Ndoci dhe një mik i tij, i cili gjithashtu punonte për kontraktorin, u larguan nga ishulli kur refuzuan të zbatonin një porosi të kontraktorit. Ky i fundit nuk u dha rrogat që u detyrohej.
Pas disa kohësh, Alfons Ndoci dhe miku i tij u rikthyen në ishullin e Mikonos. Rrahën kontraktorin dhe i morën atij shumën e parave që u detyrohej. Pas kësaj, Ndoci takoi edhe ndërmjetësin që kishte rrahur dikur dhe i rrëfeu se e kishte dhunuar me porosi të kontraktorit, për të cilën ishte paguar.
Alfons Ndoci ka qenë i dënuar për dy vrasje në Greqi. Alfons Ndoci kishte vrarë një biznesmen në vitin 2017 gjatë një grabitjeje dhe pak më vonë një të moshuar. Një vit më pas ai u arratis nga mjeti i transportit të të burgosurve së bashku me 3 të dënuar të tjerë. Por arratia e shqiptarit zgjati vetëm pak ditë.
/tvklan.al