Mediat italiane kanë publikuar pamjet e kamerave të sigurisë të teleferikut që u rrëzua në Itali më 23 Maj. Në videon e transmetuar nga TG3, duket që në bordin e teleferikut janë 15 persona.

Kabina po afrohet në stacionin e mbërritjes në Mottarone, kur papritur njëra nga kavot u shkëput. Në këtë moment, kabina e teleferikut rrëshkat mbrapa me shpejtësi deri sa rrëzohet në tokë.

Nga aksidenti fatal humbën jetën 14 persona mes të cilëve edhe 2 fëmijë, ndërsa mundi të shpëtonte vetëm një i mitur. Kjo video është pjesë e dosjes hetimore.

Por kryebashkiakja e qytezës Stresa në Itali, Marcella Severino, është shprehur kundër publikimit në media të kësaj video.

Kisha propozuar që të kishte heshtje në shtyp, për të respektuar familjet dhe viktimat, sepse doja që hetimet të vazhdonin normalisht. Kjo video më shtangu dhe mendoj se nuk është e përshtatshme për viktimat dhe familjarët e tyre”, tha ajo. /tvklan.al