Aksi i ri do të jetë gati para fillimit të sezonit turistik

Punimet në By-Passin e Vlorës mbeten në vëmendjen e Kryeministrit, duke qenë se ky projekt konsiderohet një nga më ambiciozët në vend dhe për shkak të impaktit që do ketë në zhvillimin e turizmit.

Në një mesazh në rrjetet sociale, kreu i qeverisë e konsideroi këtë një prej veprave më spektakolare në infrastrukturë, duke theksuar se aty ende sot po punohet me tre turne.

Gjatë inspektimit të punimeve në terren, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku informoi Kryeministrin se deri tani janë kryer rreth 60% të punimeve, ndërkohë që është punuar me shpejtësi për shpronësimet.

“Deri tani janë shtruar 11 kilometra me asfalt në By-Passin e Vlorës dhe po punohet për shtrimin e 5 kilometrave të tjerë”.

Projekti i rrugës përfshin edhe disa vepra inxhinierike, ku po punohet paralelisht me gjurmën tjetër të rrugës në mënyrë që të gjitha urat të jenë gati në Pranverën e ardhshme.

Drejtuesit e punimeve në terren bënë të ditur se rruga e re do jetë panoramike dhe gjurma e saj do të jetë e gjelbëruar.

95% e gjurmës së rrugës është hapur, ndërsa janë kryer mbi 50% të punimeve të rrugës. E gjithë vepra kushton 35.8 milionë Euro, ku një pjesë është grant i Bashkimit Europian dhe shumica e fondit kredi e butë nga BERZH.

Punimet në këtë rrugë nisën në 2012, por problemet që pati kompania Serenissima e cila u kontraktua fillimisht për ndërtimin e segmentit, bënë që autoritetet të ritenderonin dhe njëherë projektin.

Punimet nisën sërish në fund të vitit 2018 dhe pritet të përfundojnë vitin e ardhshëm përpara nisjes së sezonit turistik.

Tv Klan