Premtim i bërë gjatë fushatës elektorale nga koordinatori i LSI-së për Malësinë  e Madhe Ardit Hotaj se do të hapeshin vende pune në Burgun e Reçit në Shkodër ka bërë që Ministria e Drejtësisë ta kallëzojë penalisht në Prokurori.

Pas hetimi administrativ Ministria e Drejtësisë thotë se kemi të bëjmë me një skemë mashtrimi me punësimet në burgun e Reçit në Shkodër , i cili ende nuk ka filluar nga puna.

Ministria thotë se sipas një urdhri të rreme të firmosur nga ish-drejtori i burgjeve Miklovan Kopani janë punësuar të paktën 42 persona në pozicione të ndryshme.

Verifikimi ka nisur edhe për dy kandidatet për deputetë të LSI-së për këtë qark Agron Çela dhe Dritan Ylli.

Edhe këta të fundit sipas Ministrisë së Drejtësisë janë të përfshirë në skemën e mashtrimit me punësimet pasi kanë deklaruar në media se punësimi është i rregullt dhe se fituesit ishin shpallur ne faqen zyrtare të Drejtorisë se Burgjeve.

Por, sipas Ministrisë së Drejtësisë nuk ka asnjë procedurë punësimi në këtë burg, urdhri i publikuar nuk është protokolluar dhe se lista e fituesve nuk ekziston në faqen e drejtorisë së burgjeve.

Këta shtetas, nëpërmjet veprimeve apo deklarimeve të tyre, dyshohen se kanë luajtur rol në krijimin e perceptimit të rremë tek qytetarët për punësimin e tyre në këmbim të mbështetjes me votë në zgjedhje.

Ministria e Drejtësisë sqaron se procesi i rekrutimit të stafit të IEVP Shkodër, do të nisë ligjërisht pasi të jenë përfunduar punimet në këtë institucion.

Tv Klan