30% e personave që humbën punën janë nën 30 vjeç

Bashkimi i Sindikatave të Maqedonisë, nuk protestoi, por e festoi 1 Majin.

“Fillojmë me festimin e 1 Majit”.

Por të dhënat që i lexoi kryetarja e Sektorit të rinjve pranë sindikatës, nuk janë për të festuar. Çdo i katërti person që mbeti pa punë gjatë pandemisë, ishte nën moshën 29 vjeçare, që do të thotë se 30% të personave që humbën punë janë të moshës së re.

“Kjo krizë jo që nuk i tejkaloi të rinjtë, por i goditi fuqishëm sepse i solli në majën e kategorive të grupeve të rrezikuara. Se sa ka pasur ndikim kriza tek të rinjtë, tregon edhe përqindja e papunësisë tek të rinjtë, që është në mesin e më të lartave në Evropë”.

Përfaqësuesit tjerë të sindikatave i uruan punëtorët, duke u përmbajtur nga kritikat. Pak më i drejtpërdrejtë ishte Kryetari i Sindikatës, Darko Dimovski.

“Bashkimi i sindikatave të Maqedonisë, pret që Qeveria përkrah aktiviteteve për menaxhimin e krizës dhe stabilizimin e ekonomisë, të fillojë me përmbushjen e premtimeve që ishin pjesë e programit të saj që ishte edhe bazë për të fituar mandatin Qeverisës. Përmbushni atë që e premtuan në programin tuaj me masa më energjetike që do të jenë të dukshme për të gjithë qytetarët dhe punëtorët”.

Nga Sindikata kërkuan edhe ligj të ri për marrëdhënie pune, i cili nuk do të lejojë që kontratat në kohë të caktuar të zgjasin më shumë se 1 vit, e të njëjtat do të shndërrohen në marrëveshje pune në kohë të papërcaktuar pas 1 viti. U kërkua edhe që pushimi i lehonisë të zgjatë 12 muaj.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Punësim, 43.086 persona kanë mbetur pa punë që nga fillimi i krizës në Mars të vitit 2020. Hulumtimi më i ri i Shoqatës për Hulumtime dhe Analiza tregon se në vitin 2020, të papunë kanë mbetur 6.783 punonjës të tekstilit. 

Pesë komunat me rritje më të lartë të papunësisë janë: Shtipi, Tetova, Shkupi, Prilepi dhe Kumanova.

Klan Macedonia