Punimet e nënkalimit nisin për 10 ditë

Posta

Punimet e nënkalimit nisin për 10 ditë

15:50 26/09/2019

Fituese shpallet “Salillari”, rrëzohet vendimi i ARRSH-së

Ankesave të shumta të cilat vërshuan në Komisionin e Prokurimit Publik për tenderin e tretë që zhvilloi Autoriteti Rrugor Shqiptar, për lotin e parë të Unazës së Madhe, ka arritur që t’i japë një përgjigje brenda një muaji Komisioni i Prokurimit Publik, duke arritur kështu edhe mos djegien fondeve që ishin alokuar për këtë projekt.

Brenda 10 ditësh, ARRSH duhet të nisë punimet për të ndërtuar nënkalimin e Unazës së Madhe te sheshi Shqiponja, por punimet nuk do t’i kryejë kompania Vëllezërit Hysa, e shpallur fituese nga Autoriteti Rrugor, por bashkimi i operatorëve Salillari dhe Bajrami N.

Ndërtimi i Nënkalimit do të përfundojë pas dy vjetësh. Vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik e ka gjetur si të jashtëligjshëm skualifikimin e operatorit Salillari nga gara, i cili është diskriminuar sipas tij në vlerësimin e tenderit, duke e bërë atë si ofertën e suksesshme.

Në tenderin e zhvilluar në Korrik morën pjesë 8 kompani, 5 prej të cilave u skualifikuan nga gara, përfshirë edhe dy ofertat më të ulëta, ndërsa 3 u kualifikuan dhe fituese u shpall kompania Vëllezërit Hysa, e cila kishte vlerën më të ulët të punimeve te operatorët e mbetur.

Punimet për këtë pjesë të unazës nisën në fund të vitit 2018, por pas skandalit me firmën fituese të tenderit, DH Albania, e cila kishte falsifikuar dokumentet, ARRSH anuloi kontratën dhe rihapi garën, e cila po ashtu u anulua pas marrjes së detyrës nga Sonila Qato. Ky është tenderi i tretë i zhvilluar dhe pritet që punimet të nisin brenda 10 ditësh.

Kompania Salillari është duke kryer punime edhe në një lot tjetër të Unazës, ndërsa shoqëria Vëllezërit Hysa është nën hetim nga prokuroria pasi dyshohet se është përdorur për koperturë në dhënien e ofertave për dy lotet e para. Ajo gjithashtu rezulton edhe si nënkontraktore për zhvillimin e punimeve në dy pjesët e tjera të Unazës së Madhe.

Tv Klan


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi