Në Kashar po ngrihet Zona e Lirë Ekonomike nëpërmjet të së cilës, qeveria dhe bashkia synojnë të punësojnë mijëra të rinj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga  Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, gjatë inspektimit të punimeve, tha se përmes këtij projekti Bashkia e Tiranës synon gjithashtu të thithë investime të huaja direkte, kryesisht në fushën e teknologjisë së informacionit, prodhimin e pjesëve për automjetet dhe turizmit.

“Është zgjedhur kjo zonë sepse këtu kemi pasur një fluks të madh kërkesash për punë. Ajo që mund të bëjmë është të krijojmë vetë një zonë të lirë ekonomike ku të promovohet një lloj ekonomie e re, më e qëndrueshme, që punëson 4-5 mijë vetë në fazën e parë dhe paguan më shumë sepse janë punët e të ardhmes. Ne tashmë i kemi klientët e parë, kryesisht janë kompani për data center, që merren me të dhënat kompjuterike, të cilat shërbejnë si hub-e, pra si stacione të lidhjes së rrjeteve, sidomos për rrjetet sociale ku jemi edhe vetë konsumatorë. Ruajtja e të dhënave është një biznes i jashtëzakonshëm.”

Sipas Veliajt, qëllimi i Bashkisë së Tiranës është ta kthejë këtë zonë, në një vend që prodhon ekonomi.

“Kjo hapësirë është prova konkrete se si lidhet kultura me ekonominë. Ne patjetër që do të investojmë në Tiranën urbane dhe do injektojmë projekte të kulturës sepse ato prodhojnë më shumë ekonomi dhe turizëm. Besoj se kemi gjetur një vend ideal, që deri dje konsiderohej i degraduar, ndërkohë që në një qytet ku vlera e pronës po shkon çdo ditë e më lart, duhet të shfrytëzojmë çdo metër katror për të prodhuar më shumë ekonomi. Besoj se kemi marrë vendimin e duhur me qeverinë, me kryeministrin, për të qenë bashkia e parë që operon një zonë të promovimit ekonomik.”

Projekti “TEDA” është një bashkëpunim mes Qeverisë dhe Bashkisëtiranës që pritet të gjenerojë 5 deri në 7 mijë vende pune.

Tv Klan