Producenti i tregon të gjitha: Çfarë ndodhi në prapaskenë pas konkursit

Për herë të parë është zhvilluar bashkë konkursi i bukurisë “Miss Universe Albania & Kosovo” për shkak të pandemisë, pikërisht mbrëmjen e së premtes ku u përzgjodhën edhe fitueset e këtij spektakli bukurie, më e bukura e Shqipërisë dhe më e bukura e Kosovës.

Blerta Veseli është zgjedhur më e bukura e Kosovës, ndërsa Paula Mehmetukaj si më e bukura e Shqipërisë.

Blerta ka treguar në studion e Rudinës në Tv Klan se studion për arkitekturë dhe ka punuar me kohë të pjesshme në Ministrinë e Infrastrukturës në Prishtinë. Përsa i përket faktit që u zgjodh “Miss Universe Kosovo 2020”, ajo shprehet se ndihet e lumtur që ka marrë këtë përgjegjësi dhe t’i përfaqësojë vajzat e Kosovës me dinjitet.

Blerta Vejseli: Unë studioj për arkitekturë dhe merrem me shumë projekte të tjera që kanë natyrën e artiktekturës. Kam punuar me kohë të pjesshme edhe në Ministrinë e Infrastrukturës, jam marrë me organizata që ndihmojnë shoqërinë civile dhe jam shumë e kënaqur që tani kam marrë përgjegjësinë për të përfaqësuar vajzat e Kosovës në “Miss Universe 2020”.

Rudina  Magjistari: Si more pjesë tek ky konkurs?

Blerta Vejseli: Kjo ka qenë dëshirë e imja kur kam qenë fëmijë, gjithmonë e kam pasur atë dëshirën që një ditë do bëhem miss ose modele e suksesshme. Këtë rrugëtim e vazhdova, njëkohësisht përfundova edhe studimet, mirëpo nuk isha e gatshme dhe nuk e ndjeja veten të pjekur kur isha 18-vjeçare që ta merrja këtë peshë të madhe për të përfaqësuar një komb të tërë në “Miss Universe”. Kështu që sapo mbarova studimet vendosa të marr këtë përgjegjësi dhe t’i shkoj deri në fund.

Rudina Magjistari: Edhe për ty ai momenti i sikletshëm i kurorës.

Blerta Vejseli: Po ishte diçka që ndodhi live dhe normale që gjërat janë më të sikletshme, më shumë emocione, ka qenë një lloj incidenti i vogël, por doli diçka shumë e bukur dhe jam mjaft e lumtur .

Eduard Dedaj: Situata e Blertës ka qenë mjaft interesante. Pasi u kurorëzua vjen në prapaskenë dhe fillon të qajë. Edhe unë që i them e dashur po ti të kishe qarë në skenë jo këtu, çmë duhesh tani, mos qaj më. (qesh) I thashë pse e ruajte për në prapaskenë, të kishe qarë aty.

Rudina Magjistari: Pse nuk ndodhi në skenë?

Blerta Vejseli: Unë jam tip introvert dhe gjithmonë  i mbaj emocionet brenda. Sa fillova të më mbusheshin sytë me lot, ndodhi problem i kurorës dhe ikën emocionet. Ishte shumë mirë dhe jam e lumtur që kam marrë këtë titull dhe ndjej përgjegjësinë që ta përfaqësoj shtetin e Kosovës në mënyrë më dinjitoze. /tvklan.al