Tirana tronditet sërish. Një ngjarje e rëndë ndodhi mëngjesin e kësaj të marte në një familje në Allias.

Një grua 36-vjeçare gjeti vdekjen pasi u qëllua me armë nga bashkëshorti i saj. Viktima është identifikuar si Ervilma Seferi, ndërsa autori i dyshuar i këtij krimi në familje është 44-vjeçari Alket Arapaj. Ky i fundit është punonjës i Gardës së Republikës dhe e vrau bashkëshorten me armën e shërbimit.

Sipas burimeve zyrtare, ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit, ndërsa rrethanat apo shkaqet e kësaj vrasjeje nuk dihen ende. Në një njoftim paraprak, policia thotë se ka vënë në pranga autorin.

“Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.4, në bashkëpunim me SHÇBA arrestuan në flagrancë shtetasin A. A., 44 vjeç (punonjës në Gardën e Republikës). Rreth orës 06:00 të mëngjesit, në banesën e tij në Allias, ai dyshohet se ka vrarë me armën e shërbimit bashkëshorten, 36 vjeçe. Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”,

thotë policia në njoftimin e saj.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se shkak i ngjarjes është bërë xhelozia, megjithatë do të jenë hetimet e mëtejshme që pritet të hedhin më shumë dritë rreth këtij krimi të rëndë. 

/tvklan.al