E ftuar tek “Rudina” në Tv Klan, moderatorja e njohur Arjola Shehu, ka treguar punën e parë të saj që ka bërë për herë të parë. Ajo ka punuar si dado në një familje angleze, ku duhej të kujdesej për vajzën kineze që ata kishin adoptuar. Kjo punë nuk zgjati më shumë se 3-4 jave, pasi nuk arriti ta bënte dot si punë.

Arjola Shehu: …E kam nisur si të thuash atë eksperiencën e parë të marrëdhënies me punën dhe paranë, por unë nuk e kam dorëzuar. Unë i përkas brezit të demokracisë dhe me thënë të drejtën kam patur një fëmijëri pak të llastuar për shkak dhe të mundësive dhe të kohës që erdhën me ardhjen e demokracisë. Kur i thashë prindërve që unë kam ndërmend që të nis një punë se me doli si mundësi, ata në fillim u surprizuan, pse do fillosh një punë, pastaj u treguan shumë dashamirës dhe mbështetës që unë të merrja këtë si iniciativë edhe pse mund ta them që nuk ishte versioni im më i mirë. Më erdhi një mundësi që të punoja në një familje të huaj, angleze. Ata kishin një vajzë të adoptuar, ishte kineze, vetëm 6 vjeçe dhe unë në atë kohë duhet të kem qenë diku tek 18 vjeç. Unë akoma nuk dija të kujdesesha për veten me thënë të drejtën.

Rudina Magjistari: Por më tepër i ke bërë shoqëri, shumë interesante.

Arjola Shehu: Flisja dhe komunikoja në anglisht, ishte kjo një arsye pse unë dëshiroja ta nisja si punë, për ta praktikuar pak. Prindërit e vajzës më jepnin direksione duhet të bësh këtë, duhet të bësh atë. Me thënë të drejtën gjysmat nuk i bëja dhe me kalimin e javëve e kuptova që nuk ishte gjëja që unë mund të bëja  të jem e sinqertë. Ndoshta sot mund ta bëj shumë më mirë, por në atë kohë… Edhe pse më mësoi me tregun e punës, nuk ishte vërtet ajo që ndihesha mirë dhe u tërhoqa shumë shpejt, 3-4 javë.

Rudina Magjistari: Të paktën more një rrogë aty apo jo?

Arjola Shehu: Po le të themi një rrogë, me honorare, me orë pune. Nuk e mbaj mend sa ishte, por kam përshtypjen se në fund m’u grumbulluan diku tek 120 mijë Lekë, që për mua në atë kohë ishin një gjë e lezetshme se mund të blija diçka përtej atyre shpenzimeve që i shkaktoja prindërve.

Nard Ndoka: Kinezja e vogël nuk pati ndonjë problem?

Arjola Shehu: Shpëtoi mirë se ika shpejt (qesh). /tvklan.al