Protokoll i rreptë për plazhet, hotelet dhe restorantet

Në kushtet kur pandemia e Covid-19 nuk është ende në piken 0, qeveria ka gati një protokoll masash që do të kushtëzojnë sjelljen e pushuesve këtë vit. Drafti që ka siguruar TV Klan përmban në detaje rregullat që duhet t’i bindemi këtë sezon pushimesh nga nisja e udhëtimit deri në qëndrimin në plazhe.

Deri edhe pozicioni ku duhet të uleni në autobus apo në makinë kur niseni për pushime është parashikuar të rregullohet me ligj në “Protokollin e Masave anti-Covid-19 përgjatë sezonit turistik 2020”.

Një dokument që paracakton me detaje si duhet të sillemi në restorante, në hotele, në plazhe, në pishina, madje edhe si duhet të qëndrojmë kur futemi në det, përmes një serie rregullash që duket se këtë vit do të kushtëzojnë pushimet e gjithsecilit.

Kështu në 48 faqet e dokumentit të siguruar nga Tv Klan flitet për masat strikte që duhet të marrin hotelet në lidhje me higjienën dhe dezinfektimin e ambienteve të tyre, ku stafi duhet të përgatitet të qëndrojë me maska dhe doreza gjatë shërbimit. I detyrueshëm do të jetë pajisja me një komplet pajisjesh mbrojtëse që do të përdoren si masa për të mos përhapur virusin në kushtet e grumbullimit të pushuesve. Këto t fundit do të priten kudo me termometër, që do të masë temperaturën si hapi i parë i akomodimit në hotele. Në protokoll parashikohet që nëse një prej pushuesve rezulton me temperature menjëherë njoftohen autoritetet që kryejnë analizat dhe bëjnë izolimin e personit.

E sigurtë është që ky nuk do të jetë një sezon turistik me grumbullime dhe dyndje turistesh. “Thembra e Akilit” e pushimeve në Shqipëri, kafet dhe lokalet këtë vit do të preken edhe ato nga masat kundër Covid, duke e kthyer zakonin e shijimit të një kafeje ne luksin e kësaj vere.

Parashikohet që vendosja e tavolinave në bare dhe restorante do të behet duke respektuar një maksimum prej 4 personash për çdo 10 metra katrorë. Tavolinat duhet të vendosen në atë mënyrë që distanca nga pjesa e pasme e një karrige në pjesën e pasme të një karrige tjetër të jetë më shumë se 1m larg dhe që klientët të përballen me njëri-tjetrin nga një distancë prej të paktën 1m.

Pozitive për pushuesit, por jo aq për bizneset do të jetë distanca mes çadrave në plazhe.

Sipas protokollit, propozohet qe për çadrat dhe ndenjëset e pushuesve të respektohet një distancë prej të paktën 10m nga vija e bregut të detit, liqenit, lumit dhe hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) duhet të jetë të paktën 3.5 metra.

Në masat e propozuara në këtë protokoll, rregullat janë të shumta dhe të detyrueshme për tu zbatuar nga të gjitha sipërmarrjet e aktiviteteve turistike. Bie në sy që gjatë larjes në det, duhet te respektoni distancën 3 m larg nga njëri-tjetri, me përjashtim të rastit kur prindi kujdeset për fëmijën e mitur.

Tv Klan