SPAK: Sendet e sekuestruara të kthehen. Gjykata: Po verifikohen

Pak ditë më parë Gjykata Speciale vendosi të pushojë hetimet për korrupsion ndaj 3 gjyqtarëve që pranuan kërkesën e Dritan Dajtit për gjykim të shkurtuar, por nuk iu ktheu atyre një shumë parash dhe sende personale të sekuestruara.

Sipas vendimit të gjykatës, shuma prej 17 mijë Euro që iu gjet Skëndër Daminit dhe djalit të tij, do të vijojë të jetë e sekuestruar për shkak se ndaj gjyqtarit ka nisur hetim pasuror.

Po kështu nën sekuestro do të qëndrojnë edhe 1 mijë e 500 Euro që iu gjetën gjyqtarit Petrit Aliaj, por edhe një telefon celular në pronësi të Aleks Nikollit.

Por këtë vendim të gjykatës, përveç avokatëve mbrojtës të gjyqtarëve e ka ankimuar edhe Prokuroria e Posaçme. Sipas prokurorisë, në momentin që gjykata pushon hetimet, sendet e sekuestruara ose i kalojnë shtetit në favor apo asgjësohen, ose i’u kthehen personave që i disponojnë.

Gjatë hetimeve u provua që pasuritë janë të ligjshme dhe për këtë hetuesit kërkojnë prishjen e vendimit të gjykatës duke kthyer shumat monetare dhe telefonat.

Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e katër punonjësve të policisë në Gusht të 2009. Ndërsa Shkurtin e kaluar një trupë gjyqësore e komanduar pranë Apelit vendosi të shuante burgimin e përjetshëm, duke e dënuar Dajtin me 25 vite burg.

Tv Klan